Lidhje

Shnajder: Nuk do te ketë dryshimeve të rëndësishme të planit Ahtisari


Një përfaqësues i lartë i Grupit Ndërkombëtar të Krizave tha se nuk shikon mundësinë që planit Ahtisari për statusin e Kosovës t’i bëhet ndonjë ndryshim me rëndësi. Mark Schneider, nënpresident i kësaj organizate që përpiqet për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare, tha se gjendja në Kosovë vazhdimisht ka qenë shpërthyese por nëse aty shpërthen dhuna për shkak të vonesave lidhur me statusin, kjo do të kishte pasoja shkatërrimtare.

Nuk shikoj ndonjë mundësi që planit të Ahtisarit t’i bëhet ndonjë ndryshim me rëndësi. Duhet të kujtojmë se ky plan ka ardhur pas shumë vitesh, gjatë të cilëve një numër individësh dhe grupesh kanë bërë përpjekje për të përcaktuar se cila do të ishte zgjidhja e arsyeshme për Kosovën. Prandaj ka shumë pak të ngjarë që një ndryshim thelbësor në planin Ahtisari të jetë i zbatueshëm në praktikë. Pikëpamja jonë është që do të ishte më mirë të ecet përpara me shpejtësi për zbatimin e këtij plani. Është çështje tjetër nëse disa muaj bisedimesh shtesë do të rezultonin ose jo në një mirëkuptim më të madh mes të gjitha palëve për vënien në jetë të planit. Por dyshoj shumë se do të mund të pranohej ndonjë ndryshim thelbësor i planit.

Ne nuk shikojmë ndonjë ndryshim të rëndësishëm që mund t’i bëhet planit Ahtisari dhe që mund të çonte në pasiguri dhe destabilizim afatgjatë. Ne jemi kundër çdo lloj ndarjeje të Kosovës, e cila do të përbënte një ndryshim thelbësor të planit dhe do të kishte efekte destabilizuese. Të gjithë shpresojnë se pavarësia do të realizohet në atë mënyrë që është parashikuar në planin Ahtisari, pra në mënyrë të mbikqyrur dhe si rrjedhojë e një rezolute të KS e pasuar me një njohje normale nga vendet e ndryshme. //rd//

XS
SM
MD
LG