Lidhje

Analistet: Vonesat në zgjidhjen e statusit të Kosovës shterojnë durimin e shqiptarëve


As takimi i nivelin të lartë i Tetëshes në Gjermani muajin e kaluar, dhe as takimi ndërmjet Presidentit Bush dhe Presidentit rus Putin nuk arriti të eliminojë kundërshtimin e Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës. Fuqitë perëndimore kanë rënë dakord të shtyjnë 4-6 muaj vendimin për të qetësuar Rusinë – një masë që ka shqetësuar analistët e huaj si dhe politikanët në Kosovë:

Alex Anderson, përfaqësuesi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë shprehet i zhgënjyer që fuqitë perëndimore ranë dakord të shtyjnë edhe më tej vendimin për të ardhmen e Kosovës. Vonesa, thotë ai, mbart me vete rreziqe shtesë:

"Kjo vonesë 6-mujore, gjatë së cilës Prishtinës dhe Beogradit do t’u kërkohet të ulen përsëri për bisedime, do të sjellë një fashitje graduale të besimit në Prishtinë. Vonesa ishte rezultat i kërcënimit të Rusisë se do të përdorte veton në Kombet e Bashkuara për të bllokuar zbatimin e planit Ahtisari për pavarësi të kushtëzuar për Kosovën," thotë analisti.

Zoti Anderson thotë se perëndimi duket se po largohet nga plani Ahtisari:

"Duket se perëndimi po largohet nga ideja e imponimit të pavarësisë, tek e cila mbështetej praktikisht plani Ahtisari. Duket se tani po futemi në një rrugë që anon më tepër nga përpjekjet për të siguruar një miratim të heshtur nga Serbia, me një nëntekst për shkëmbim territori në Kosovë si kusht për këtë miratim.

Plani Ahtisari parashikon zëvendësimin e administratës së OKB-së me një organizëm vëzhgues të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Por për të mundësuar një kalim të tillë nevojitet një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit. Rusia këmbëngul që të zhvillohet një raund i ri bisedimesh ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Politikani Bajram Rexhepi thotë se bisedimet e mëtejshme me serbët do të ishin pa vlerë. Ai nuk është optimist se Kombet e Bashkuara do të bien dakord për zbatimin e planit Ahtisari:

"Mendoj se do të jetë shumë e vështirë për të miratuar një rezolutë të re të OKB-së. Në konsultimet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian do të shohim sa do të zgjasë kjo vonesë. Nëse nuk vendoset një kufi i saktë kohor, ne, politikanët në Kosovë do të duhet të bëjmë punën tonë dhe ndoshta të shpallim vetë pavarësinë dhe të kërkojmë njohjen e saj," thotë zoti Rexhepi.

Dje në Beograd, ministri i jashtëm francez Bernar Kushner, ish-shef i UNMIK-ut, tha se Serbia nuk mund të shpresojë që të vazhdojë të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por nga ana tjetër të presë antarësim në Bashkimin Evropian. Nëse nuk miratohet një rezolutë e re e OKB-së, Shtetet e Bashkuara e kanë lënë të kuptohet se do të njohin shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Serbia thotë se nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës, të cilën e konsideron si zemrën historike dhe kulturore të kombit. Të mërkurën, kryeministri serb Vojisllav Koshtunica tha se nëse Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera duan marrëdhënie miqësore me Serbinë, ato duhet të respektojnë faktin që “Serbia nuk do të lejojë kurrë që t’i gllabërohet një pjesë e madhe e territorit të saj.” //ad//

XS
SM
MD
LG