Lidhje

Paqartësi në Kosovë për shkak të shtyrjeve për statusin


Grupi negociator i Kosovës ka qenë në pozitë të vështirë që prej muajsh për shkak të shtyrjeve të njëpasnjëshme të zgjidhjes së statusit të Kosovës, por aktualisht, pozita e këtij grupi është në pikë kritike sepse është vështirë t’u shpjegosh tani qytetarëve të Kosovës se cfarë arriti ky grup ndërkohë që është shumë e dukshme se cfarë nuk u arrit.

Jo më kot, nënsekretari i shtetit Daniel Frid i vlerësoi anëtarët e grupit publikisht si patriotë dhe dje, ministri i jashtëm francez bëri të njëjtën gjë. Por problemi është sesi po perceptohen dhe si do të vazhdojnë të perceptohen në të ardhmen e afërt anëtarët e këtij grupi nga vetë populli i tyre që u besoi mandatin për të punuar me komunitetin ndërkombëtar në zgjidhjen e problemit të statusit. Njëri nga anëtarët e grupit, Veton Surroi, iu drejtua me letër kolegëve të tij, një letër që më shumë dukej se i ishte drejtuar qytetarëve të Kosovës sesa grupit të unitetit.

Zoti Surroi paralajmëroi se koncepti i pavarësisë së Kosovës përmes një rezolute në Këshillin e Sigurimit ka dështuar, por se çdo veprim për shpallje të njëanshme të pavarësisë, duhet të bëhet në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Surroi, paralajmëroi se ndarja e Kosovës është rrezik real që nga viti 1999, ndërkohë që ministri I jashtëm francez Bernard Kushner dhe kryeadministratori ndërkombëtar Joakim Rucker, e hodhën poshtë mundësinë e ndarjes.

“Ky është një fund i vështirë për një proces të vështirë. Do ta bëjmë bashkë, mos u shqetësoni”, tha dje në Prishtinë ministri i jashtëm francez Bernard Kushner.

“Nuk u plotësuan pritjet”, pohoi kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Joakim Rycker.

Kryeministri Agim Çeku nga ana tjetër ka ndjekur kohët e fundit një linjë më të guximshme, duke folur hapur për dështimin e një faze të procesit, që është pavarësia përmes rezolutës së Këshillit të Sigurimit. Kryeministri ka hedhur poshtë edhe cdo mundësi për ndarje të Kosovës duke thënë se zgjidhja për Kosovën duhet të jetë e bazuar pashmangshmërisht në paprekshmërinë e tërësisë territoriale të saj.

“Janë disa gjëra shumë të qarta, është shumë e qartë që Këshilli I Sigurimit nuk mund ta miratojë një rezolutë që do ta mbështeste pakon apo rekomandimin e Ahtisarit ashtu siç është”.

Anëtari tjetër I grupit negociator, kryetar i Partisë Demokratike në opozitë, Hashim Thaci, ka ruajtur një qëndrim të pandryshueshëm, duke përsëritur se pavarësia do të arrihet në një mënyrë a në një tjetër ndërkohë që ka hedhur poshtë mundësinë madje edhe të hedhjes në tryezë të idesë së ndarjes.

“Për Kosovën nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë as përpjekje për të diskutuar, lëre më për ta shtruar seriozisht nga autoritetet kosovare. Pavarësia e Kosovës është vullneti dhe sakrifica e 2 milion qytetarëve të Kosovës dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt në një formë a në formën tjetër. Natyrisht, roli I Këshillit të Sigurimit është dobësuar, por ne do ta gjejmë rrugën më të shpejtë, më të shkurtër për zyrtarizimin e pavarësisë”.

Presidenti Sejdiu ka qenë në një pozitë më të vështirë se kolegët e tij, si president, kryetar i grupit negociator dhe kryetar i partisë me numrin më të madh të deputetëve në parlamentin e vendit. Duke ruajtur gjuhën diplomatike, Sejdiu është munduar të tregojë se ka një kufi deri ku mund të shkohet duke pritur dhe njëkohësisht, duke e pasur gjendjen nën kontroll brenda vendit.

“Aktualisht, po punohet në një draft të rezolutës në Këshillin e Sigurimit, por nëse dështohet të arrihet kompromisi ndërkombëtar për këtë rezolutë, Kosova do t’i shikojë edhe mënyrat alternative të zgjidhjes së statusit të saj”.

Grupi negociator pritet të mblidhet në fillim të javës së ardhshme, për të vendosur se çfarë do të bëjë. Detyra e këtij grupi tani është dyfish e vështirë, duhet të dalë me kërkesa konkrete alternative për mënyrën e vazhdimit të procesit sipas këndvështrimit të Prishtinës; të formulojë qartë se çfarë do të kërkojë dhe cfarë mund të jetë e gatshme të pranojë Prishtina në takimin me sekretaren amerikane të shtetit Kondoliza Rice, gjatë takimit të 23 korrikut në Washington; dhe ajo që është me rëndësi për të brenda vendit, çfarë do t’i ofrojë popullit të vet si mënyrë për të arritur pavarësinë e premtuar. //kk//

XS
SM
MD
LG