Lidhje

Shqipëri:  Ndryshon loja në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit


Loja për presidentin e ardhshëm të vendit ka ndryshuar. Futja në garë e kryetarit të Aleancës demokratike Neritan Ceka, e cila solli nxjerrjen jashtë gare të ish kryetarit socialist Fatos Nano, ka ndryshuar disi rrjedhën e zhvillimeve duke krijuar ndoshta hapësira për gjetjen e një zgjidhjeje që do të shmangte zgjedhjet e parakohshme. Zoti Ceka mori mbreme 32 vota, në një sallë ku mungonte opozita. Në pamje të parë duket se ai gëzon mjaftueshëm një mbështetje për të qenë një pretendet i fortë.

Por votat e djeshme që vinin nga e djathta, duket se ishin më tepër një përpjekje për t’i dhënë një tjetër formë garës e për të ndjellë rikthimin e opozitës. Në një farë mënyre këtë e shprehu edhe përfaqësuesi i deputetëve demokratë, Aleksandër Biberaj: “Duhet të kemi parasysh se votimi ka qenë një votim liberal dhe ka patur edhe elementë taktikë, pasi është vlerësuar dhe akti qyetar i zotit Ceka, prandaj ai ka marrë edhe votat që i siguronin kalimin në turin tjetër”.

Vetë zoti Ceka megjithatë i bëri thirrje mbrëmë opozitës ta mbështeste pasi ai mund të ishte kandidati konsensual: "Unë jam një kandidat që mund të jem edhe kandidati jo vetëm i një grupi të caktuar, atyre 32 vetave që më kanë votuar, por të jem një kandidat konsensual. Shpresoj të jetë një mesazh që partia socialiste të kuptojë që një nga 9 kandidatët e paraqitur nga koalicioni, garoi dhe pati rezultat”.

Por në kampin e opozitës duket se futja e tij në garë nuk është pritur me ngazëllim. Kryetari i grupit parlamentar socialist Ben Blushi që mbrëmë e quajti atë një diversion të kryeministrit Berisha ndaj opozitës duke rikonfirmuar se zgjedhjet e parakohshme mbeten varianti i vetëm. I drjtpërdrejhtë dhe më i ashpër ishte sot kryetari socialdemokrat Skënder Gjinushi: "Berishën e po e ndihmojnë të gjithë ata që bëhen pjesë e farsës presidenciale. Berisha dështoi me rikthimin e Nanos. Tani duhet të largohet vetë sa më parë. Gara e djeshme s’është garë presidenciale, por tender. Ceka nuk është kandidat për president por është fitili i Topit dhe fitili digjet”.

Ndërsa sot socialistët dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë preferuar çuditërisht heshtjen. Zoti Ceka ishte në listën e propozimeve të tyre për kandidat konsensual dhe mundet që e majta të kërkojë të fitojë kohë para se të vendosë se si të sillet. Problemi i tyre qëndron sërish te kandidatura e zotit Topi. Ata kanë përsëritur gjithnjë se nuk pranojnë një garë ku konkurron nënkryetari i partisë demokratike. Por zoti Topi i rikthyer në garë pas një tërheqjeje fillestare s’ka ndërmend të heqë dorë tani: "Fjala tërheqje nuk ekziston. Raundi do të konsumohet. Ne shpresojmë ta zgjidhim në raundin e katërt. Ju siguroj se mazhoranca është e konsoliduar kur vjen puna për të marrë një pozicion definitiv”.

Megjithatë duket se hapësirat për një zgjidhje janë lënë të hapura edhe nga kryeministri Sali Berisha. Ai foli për nevojën e një analize të situatës së re të krijuar dhe në ndryshim nga më parë e cilësoi zotin Topi jo më si një kandidat të shumicës por të Partisë Demokratike:“Zoti Topi është në mënyrë të padiskutueshme kandidati i PD. Procesi kushtetues është i parikthyeshëm. Natyrisht tryeza me opozitarët mbetet gjithnjë e hapur. Një analizë nga të gjithë faktorët parlamentarë, i duhet bërë situatës”.

Koha e mbetur në dispozicion është 9 ditë brenda së cilës parlamenti duhet të konsumojë edhe dy votimet e mbetura për të arritur një rezultat që do të shmangte zgjedhjet e parakohshme. //ii

XS
SM
MD
LG