Lidhje

Irak: 80 të vrarë dhe mbi 180 të plagosur nga shpërthimi i një autobombe në Kirkuk


Policia irakiane njoftoi se të paktën 80 veta u vranë dhe mbi 180 të tjerë u plagosën sot nga shpërthimi i një autobombe në qytetin Kirkuk të Irakut verior. Forca e shpërthimit shkaktoi një çarje 10 metra të thellë në rrugën para selisë së Unionit Patriotik të Kurdistanit, partia e presidentit irakian, Xhalal Talabani. Nga tronditja u shemb çatia e ndërtesës.

Dy autobomba të tjera shpërthyen në Kirkuk pas të parit. Një polic u vra dhe 4 të tjerë u plagosën. Udhëheqësit kurdë duan ta përfshijnë Kirkukun në rajonin e tyre autonom, por banorët arabë dhe turkmenë e kundërshtojnë këtë synim. Nga fundi i këtij viti është planifikuar të zhvillohet një referendum mbi këtë çështje.

Në akte të tjera dhune po sot, 5 ushtarë irakianë u vranë nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës në Bagdat. Gjithashtu, predhat e mortajave goditën një zonë banimi në Bagdatin jugor, duke vrarë të paktën 2 civilë.

Ndërkaq, Senati amerikan po vazhdon debatin për Irakun, disa ditë pasi dy republikanë me influencë i bënë thirrje Presidentit Bush që të kërkojë një autorizim të ri për operacionet ushtarake amerikane në Irak.

Senati pritet të shqyrtojë disa amendamente këtë javë, duke përfshirë edhe atë të republikanëve me influencë, John Warner dhe Richard Lugar. Amendamenti Warner-Lugar i jep gjithashtu kohë administratës deri në mes të tetorit të shqyrtojë politikën në Iran dhe të hartojë planin për t’i përqendruar detyrat e trupave amerikane në sërvitje ushtarake, mbrojten e kufijve dhe pasurive të vendit, si dhe në luftën kundër terrorizmit.

Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë amendamentin. Senati po debaton gjithashtu për një amendament që bën thirrje për tërheqjen e trupave luftarake amerikane nga Iraku deri në prill të vitit 2008. Por miratimi i këtij amendamenti në Senatin prej 100 anëtarësh duket i pamundur. //ad//

XS
SM
MD
LG