Lidhje

SHBA: Raketat e Luftës së Ftohtë, sot në park historik


Gjatë Luftës së Ftohtë, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Bashkimi Sovjetik e kërcënonin njeri tjetrin me mijëra raketa me mbushje bërthamore. Amerika dhe Rusia kanë tani arsenale bërthamore, por të dy vendet nuk kanë më si objektiv njeri tjetrin. Sot, vizitorët në një zonë të largët në shtetin perëndimor të Dakotës së Jugut mund të shikojnë raketat dhe shtrat-hedhëset e tyre që nuk janë më në përdorim.

Një raketë “Minuteman 2” pa kapsulë bërthamore është vendosur për të kënaqur kureshtjen e vizitorëve në një park historik të Dakotës së Jugut.


Kur ky tip raketash u çaktivizua në bazë të traktatit START të vitit 1991, sipas një dispozite të tij parashikohej lejimi i një vendi për ekspozimin e raketave për qëllime edukative.


Një nga rojet e Parkut Kombëtar, Chris Wilkinson, ishte fëmijë kur Lufta e Ftohtë po shkonte drejt fundit, por ai është bërë ekspert për raketat dhe historinë e tyre. "Siç e shikoni në krahun e majtë të raketës është një kabllo nëpërmjet të cilës komanda që ndodhej nën tokë mbante lidhje me kompjutetin e raketës për t’i dhënë asaj sinjalin në rast nevoje”.


Dikur kanë qënë 10 raketa që kontrolloheshin nga ekipe që punonin në pikën e quajtur “Delta 1”. Chris Wilkinson thotë se masat e sigurimit ishin të forta kur ekipet ndërroheshin në bunkerin e nëndheshëm, duke përdorur kode tepër sekrete për të hyrë dhe dalë prej andej.

Ekipet që punonin këtu përbëheshin nga komandanti dhe zëvendësi i tij. Asnjeri prej tyre nuk mund të bënte lëshimin pa qënë tjetri i pranishëm. Në qoftë se vinte urdhëri për lëshimin e raketës, shpjegon Chris Wilkinson, secili preh tyre kishte detyra të përcaktuara mirë. "Komandanti do të takohej me zëvendësin në këtë kabinë të kuqe. Secili kishte çelësin e tij dhe e hapnin atë sa më shpejt që të ishte e mundur. Brenda saj ishin vendosur një palë çelësa”.

Të dy çelësat dhe të dy këta njerëz ishin të domosdoshëm për të filluar lëshimin e raketës. "Zëvendësi do të fuste çelësin në këtë anë, ndërsa komandanti në këtë anën tjetër, në një distancë rreth katër metra nga njeri tjetri, dhe duhet t’i kthenin çelësat në të njejtën kohë. Pra, sido që të ndodhë, është e pamundur që një njeri i vetëm t’i kthejë të dy çelësat në të njejtën kohë”.

Nga ana tjetër e globit, sovjetikët kishin një sistem të ngjashëm, por në shtator të vitit 1983, sipas dokumenteve që u hapën pas rënies së Bashkimit Sovjetik, diçka e paimagjinueshme mund të kishte ndodhur.

Nënkoloneli Stanislav Petrov u informua se Shtetet e Bashkaura kishin lëshuar një raketë në drejtim të Polit të Veriut. Ai e vuri në dyshim informacionin dhe nuk ua dërgoi atë menjëherë eprorëve të tij, të cilët mund të kishin dhënë urdhër për kundërsulm. Doli se kishte qënë një gabim kompjuteri.

Petrov, tani në pension, erdhi në muajin maj për të vizituar parkun e raketave në Dakotën e Jugur dhe Chris Wilkinson pari rastin të takohej me njeriun që shumë vetë mendojne se është shpëtimtari i botës.

Parku Historik i Raketës Minuteman shërben për t’u kujtuar vizitorëve ekzistencën e një teknologjie tepër të rrezikëshme dhe se sa të nevojshme ishin vigjilenca dhe kujdesi që ajo të mos vihej kurrë në përdorim.//ii

XS
SM
MD
LG