Lidhje

Tiranë: protestë nga Top Channel kundër gjobës së qeverisë


Në Tiranë, disa qindra gazetarë, qytetarë por dhe politikanë u bashkuan sot në një protestë të organizuar nga televizioni Top Chanel, një prej mediave më të rëndësishme në vend.

Protesta u organizua përpara selisë së qeverisë për të kundërshtuar një gjobë prej afër 14 milion dollarësh që organet tatimore kanë vendosur ndaj Top Chanel, pasi sipas tyre është konstatuar gjatë këtyre viteve një evazion fiskal prej afër 7 milion dollarësh me anë të fshehjes së të ardhurave nga reklamat.

Drejtuesit e Top Chanel por dhe gazetarët e analistët e ndryshëm që morrën pjesë në protestë e konsideruan manifestimin e sotëm si një përpjekje për t’iu kundërvënë asaj që e cilësojnë si një “gjobë politike” dhe “luftë të qeverisë ndaj lirisë së mediave”. Top Chanel njihet për qëndrimet kritike ndaj qeverisë. Në pankartat e shumta vendimi për gjobën tejet të lartë, krahasohej me skenarët venezuelianë.

Rasti i Top Chanel u bë sot objekt diskutimi edhe në komisionin e mediave në parlament, ku përfaqësuesit e opozitës kërkuan thirrjen e ministrit të Financave Ridvan Bode. Opozita e gjitha e ka konsideruar një goditje të qeverisë ndaj shtypit të lirë vendimin për gjobën.

Por përfaqësuesit e mazhorancës në pushtet u shprehën sot se nuk bëhet fjalë për cënim të lirisë së mediave por për një gjobë ndaj bizneseve në kuadrin e luftës kundër informalitetit në ekonomi. //ii

XS
SM
MD
LG