Lidhje

Solana: Bisedimet për Kosovën mund të vazhdojnë edhe pa rezolutën e OKB-së


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropin, Havier Solana tha sot në Bruksel se blloku prej 27 anëtarësh mund ta tërheqë çështjen e Kosovës nga Këshilli i Sigurimit, në qoftë se Rusia vazhdon ta kundërshtojë rezolutën për statusin e saj përfundimtar.

Zoti Solana tha se udhëheqësit e Serbisë dhe të Kosovës mund të vazhdojnë negociatat nën kujdestarinë e Grupit të Kontaktit për Kosovën, ku Moska është pjestare por nuk ka të drejtë vetoje.

Udhëheqësit e Kosovës thonë se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dështuar në këtë çështje. Ata i kanë bërë thirrje perëndimit të ofrojë një rrugë tjetër drejt pavarësisë nga Serbia.

Zoti Solana u takua në Bruksel me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Marti Ahtisari, për diskutime mbi versionin më të fundit të projekt-rezolutës së Këshillit të Sigurimit.

Zoti Solana tha se nuk është e pazakontë që të bëhen ndryshime në momentin e fundit në Këshillin e Sigurimit dhe të arrihet në konsensus. Megjithatë koha nuk premton tha ai.

“Mendoj se nuk kemi shumë kohë për të provuar këtë tip rezolute. Në qoftë se nuk arrihet konsensus ne duhet të shkojmë përpara duke hapur negociatat mes dy palëve për rreth katër muaj dhe do të shikojmë se cili do të jetë rezultati”.

Rusia e kundërshtoi projekt-rezolutën më të fundit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën dje, duke bërë thirrje se kjo është një përpjekje e kamuflaur për pavarësinë e saj, megjithë kundërshtimin e fuqishëm të pakicës sërbe.

Mbështetësit e rezolutës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, u shprehën se projekt-rezoluta që u vu në qarkullim javën e kaluar ishte përpjekja e fundit për arritjen e një marrëveshjeje për çështjet kryesore me Moskën, që ka lidhje të ngushta kulturore me Serbinë.

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin tha se Moska do t’i vërë veton rezolutës, në qoftë se ajo do të hidhet në votë dhe theksoi se shanset për miratimin e saj janë zero.

Ambasadori i Francës në Kombet e Bashkuara, Jean-Marc La Sabliere tha se përkrahësit e projekt-rezolutës do të konsultohen me qeveritë e tyre për hapat që do të ndërmerren më tej, mes të cilave janë anullimi i saj, përpunimi i mëtejshëm për t’iu përgjegjur shtetësimeve të Rusisë ose hedhja e saj në votë.

Shumë në Këshillin e Sigurimit kanë shprehur shqetësimin se udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës mund të shpallin pavarësinë në mënyrë të njëanëshme, në qoftë se Këshilli nuk miraton rrugën drejt pavarësisë. //iç//

XS
SM
MD
LG