Lidhje

Qytetet amerikane, fushatë kundër ujit me shishe


New York-u i është bashkangjitur listës vazhdimisht në rritje të qyteteve të cilët janë duke nxitur banorët e tyre të mos blejnë ujë me shishe. Së fundi, qyteti bëri një fushatë propagandistike ku i kërkohej banorëve të pinin ujë çezme në vend të ujit me shishe. Mbrojtësit e ambjentit thonë se problemi nuk është uji, por shishet plastike në të cilat shitet uji.

Autori Charles Fishman tha se njerëzit përdorin kaq shumë ujë me shishe saqë ka filluar të dëmtojë ambientin.

“Uji me shishe është diçka për të cilin asnjë nuk mund të mendojë se çfarë ndikimi të madh ka për ambientin”.

Vjet amerikanët konsumuan më shumë se 30 miliard shishe uji. Shumica, rreth 80% e shisheve përfundon e hedhur në rrugë. Po t’i vësh njera pas tjetrës të gjitha këto shishe, mund t’i biesh botës përqark 150 herë. Kjo është arsyeja që Salt Lake City ndaloi shitjen e ujit me shishe në një koncert xhazi të zhvilluar në natyrë. Kryetari i Bashkisë, Rocky Anderson e quan shitjen e ujit me shishe një mashtrim reklamash dhe nuk pranon të shpenzojë paratë e taksapagueve për të. Kështu, qyteti i sherbeu qytetarëve ujë të ftohtë të zakonshëm në gota letre që mund të ripërpunohen.

“Në duhet të heqim dorë nga këto zakone të konsumatorëve shkatërruese për ambjentin dhe t’i rikthehemi përdorimit të ujit të çezmes”.

Ekspertët thonë që ideja e përgjithshme se uji me shishe është më i mirë se uji nga rubineti nuk është e vërtetë. Mark Pastore, pronar i një restoranti të klasit të lartë në San Francisco, e ka hequr tërësisht nga menuja ujin me shishe.

“Nuk ka kuptim të shërbesh ujë me gota apo shishe plastike ndërkohë që uji i çezmes është shumë i mirë”.

Ekspertët thonë se një arsye tjetër për të mos përdorur ujin me shishe është se nga transporti i tyre digjet shumë karburant. Psh, shishet e ujit që vijnë nga Franca duhet transportohen për më shumë se 8 mijë kilometra deri në dyqanet e Çikagos. Allen Hershkowitz, me Këshillin e Mbrojtjes së Pasurive të Natyrës thotë se është një proçes i panevojshëm dhe që krijon efektin serë.

“Është ironike që në disa etiketa shishesh shihen male dhe akullnaja, ndërkohë që prodhimi i shisheve plastike kontribon në ngrohjen globale”.

Por Joseph Doss, kryetar i Organizatës Ndërkombëtare të Ujit me Shishe, thotë se kjo industri është kategorizuar e tillë në mënyrë të padrejtë.

“Çdo përpjekje për të reduktuar impaktin ndaj ambientit duhet të përqëndrohet tek prodhimi i të gjitha llojeve të ambalazheve dhe jo të veçohet uji me shishe”.

Doss flet për disa iniciativa industriale për të prezantuar prodhime plastike me bazë misrin që nuk ndotin ambientin. Ai thotë se disa kompani janë duke dhuruar një pjesë të të ardhurave nga shitjet për të ndihmuar projketet e ujësjellësve në vendet në zhvillim. Ambientalistët thonë se në qoftë se njerëzit vërtet duan një botë të pastër, siç shihet në etiketa, duhet të mos përdorin shishet.

XS
SM
MD
LG