Lidhje

Cili është çelësi i një martese të lumtur?


Afro 2 dekada më parë, pjesa më e madhe e çifteve amerikane i konsideronin fëmijët si faktorin më të rëndësishëm të një martese të lumtur. Por sipas një ankete të zhvilluar kohët e fundit nga Qendra Studimore Pew, fëmijët renditen tani në vend të tetë në një listë me 9 kushtet që ata i konsiderojnë si çelësi i suksesit të martesës. Siç njofton korrespondentja Faiza Elmasry, kushte shumë të rëndësishme për lumturinë në martesë për amerikanët janë tani angazhimi i përbashkët në detyrimet familjare dhe besnikëria bashkëshortore.

Andy dhe Trudy Ross thonë në një intervistë me rrjetin NBC se janë të një mendjeje me 99 për qind të çifteve amerikane të anketuar se besnikëria bashkëshortore është faktori numër 1 për lumturinë martesore. Kjo pasohet nga ruajtja e marrëdhënieve të kënaqshme seksuale ndërmjet çiftit, të ardhura të mjaftueshme, një banesë e mirë dhe, siç thotë Trudy, angazhimi i përbashkët në punët e shtëpisë.

“Ky faktor thuajse na e shkatërroi martesën. Kuptohet se si shkon puna kur njëri angazhohet më shumë se tjetri në punët e shtëpisë”.

Fëmijët e çiftit, që dikur ishin ndër 5 faktorët kryesorë të një martese të lumtur, tani renditen në vend të tetë, dhe konsiderohen si faktor i rëndësishëm vetëm nga 41 për qind e çifteve.

“Marrëdhëniet me fëmijët janë shumë të rëndësishme për secilin prind individualisht, si dhe për çiftin, por marrëdhëniet e vetë bashkëshortëve me njëri-tjetrin janë tepër të rëndësishme për të realizuar një jetë të pasur”.

Psikologia Dale Atkins thotë se amerikanët e shohin sot me tjetër sy martesën si dhe rolin e fëmijëve në lumturinë martesore, se sa 15-20 vjet më parë.

“Ke mundësinë të zgjedhësh. Mund të zgjedhësh të bësh fëmijë pa u martuar. Mund të zgjedhësh të bashkëjetosh me dikë tjetër pa u martuar. Pikërisht këto mundësi për të zgjedhur po i nxisin njerëzit të arrijnë në përfundimin se po të martohen, duhet të nxiten nga arsye të ndryshme nga arsyet që ekzistonin vite më parë”.

Psikologia nuk çuditet nga fakti që shumë amerikanë e konsiderojnë ndarjen e punëve të shtëpisë si faktor të rëndësishëm në martesë.

“Sot jeta ka kaq shumë strese, pasi në shumë raste të dy bashkëshortët janë të punësuar. Rritja e fëmijëve shton streset. Prandaj kur e ndjen se ke një parter tek i cili mund të mbështetesh për të ndarë së bashku këto detyra rutinë, ndjehesh më i qetë dhe më i lidhur me bashkëshortin”.

Rezultatet e anketës nuk nënkuptojnë se amerikanët nuk duan të bëjnë fëmijë, por thjeshtë se në martesë kërkojnë kushtet që i bëjnë ata vetë individë më të lumtur dhe më të përmbushur shpirtërisht.

Psikologia Dale Atkins shton se kur secili nga bashkëshortët është individ i lumtur dhe i përmbushur, ai bëhet edhe një partner më i kujdesshëm ndaj nevojave të tjetrit, dhe në shumë raste edhe prind më i mirë. Përmes kësaj marrëdhënieje të fortë dhe të ngrohtë, thotë ajo, ata mund t’u përcjellin fëmijëve disa nga sekretet më të rëndësishme për një martesë të lumtur. //ze//

XS
SM
MD
LG