Lidhje

Shqipëri: Opozita sulmon procesin që çoi në zgjedhjen e presidentit


Në Shqipëri opozita e majtë sulmoi ashpër procesin që çoi nënkryetarin demokrat Bamir Topi në postin e kreut të ardhshëm të shtetit. Zoti Topi mundi të grumbullonte mbrëmë 85 vota falë mbshtetjes që atij i dhanë 6 deputetë të partisë socialiste, besnikë të ish liderit Fatos Nano, të cilët pas këtij u nxorrën jashtë radhëve të partisë. Përfaqësuesit e opozitës janë shprehur për një pazar dhe blerje votash të cilin e quajtën një akt të turpshëm. E majta la të kuptohet se mund të bojkotojë seancën e betimit të presidentit të ri.

Zotit Bamir Topi nuk iu desh të priste raundin e mbetur të votimit. Ai mbrëmë grumbulloi 85 vota, një më tepër sesa kuorumi i kërkuar dhe i nevojshëm për ta ngjitur atë në postin më të lartë të shtetit për 5 vitet e ardhshme. Në deklaratën e tij të parë ai deklaroi se do të respektojë vetëm kushtetutën: "Ky është zotimi im themelor në prononcimin e parë, në respekt të kushtetutës, të ligjeve të shtetit, në respekt të ekulibrit në shoqërisë shqiptare, në respekt të ekulibrit të plotë në klimën politike shqiptare.”

Por kjo deklaratë e tij vështirë se mund të zbusë zemërimin e së majtës. E vendosur për të bojkotuar seancën e për pasojë për të bllokuar zgjedhjen e tij, opozita u ndje e tradhëtuar nga 6 deputetë socialist që morrën pjesë në votim e që garantuan fitoren e zotit Topi. Të 6 ishin besnikë të ish liderit socialist Fatos Nano i cili ishte shprehur publikisht kundër zgjedhjes së zotit Topi, ashtu sikundër dhe zoti Topi kishte qenë që në fillim nga zërat e paktë që kishte deklaruar votën e tij kundër zotit Nano.

Qëndrimi i opozitës u bë i qartë që mbrëmë nga kryetari socialist Edi Rama: “Do të doja ta uroja presidentin e ri të Republikës, por ai nuk e meriton sot urimin e Partisë Socialiste, jo vetëm sepse është pjesmarrës i drejtpërdrejtë në ndërtimin e procesit të turpshëm korruptiv që e vuri në krye të shtetit, por edhe sepse në deklaratën e tij të parë nuk foli si presidenti i të gjithëve, por si vartësi i doktor Berishës. Për sot Bamir Topit mund t’i them se duhet t’i vijë turp, duke e siguruar se kur ta meritojë fjalën e mirë të opozitës, ajo nuk do t’i mungojë”.

I njëjti qëndrim edhe nga partia e kandidatit tjetër në garë Neritan Ceka, i cili u duk qartë se u bë viktimë e një skeme të qartë të së djathtës: “Aleanca Demokratike e konsideron votimin e djeshëm një akt të trupshëm, një goditje të rëndë ndaj pluralizmit në parlament. Një tregues i qartë dhe i dhimbshëm i degjenerimit të një pjesë të deputetëve që arrijnë edhe në shitblerje të votës edhe kur për cështje të tila madhore siç është zgjedhja e presidentt të Republikës.”

Opozita duket se nuk do të shkojë në seancën e ditës së martë në parlament e ndoshta as në ceremoninë e marrjes së detyrës nga ana e zotit Topi duke lënë kështu vendet bosh ashtu si dhe gjatë raundeve të votimit. Socialistët janë partia e cila doli si humbësja e madhe e këtij procesi. Kryetarit Edi Rama do t’i duhet të shfrytëzojë dy vitet e mbetura deri në zgjedhjet e afërta, për të riorganizuar partinë e tij, të cilën duket se do ta nis me luftën tashmë të shpallur ndaj ish liderit Fatos Nano: "Unë jam këtu më i vendosur se kurrë. Ata që e çuan PS në opozitë në vitin 2005 dhe që sot e lanë Shqipërinë dhe shqiptarët edhe dy vjet të tjera nën Sali Berishën jo vetëm nuk mund të më bëjnë të tërhiqem. Jam këtu për të shporrur politikën e vjetër e për ta shembur këtë sistem të korruptuar, këtë sistem abuziv.”

Nga ana tjetër i ngazëllyer ishte mbrëmë kryeministri Sali Berisha i sigurt poër fitoren që para daljes së rezultatit.

Pavarësisht debateve mbi anën morale të procesit, kryeministri Berisha, ia doli të evitonte jo vetëm zgjedhjet e parakohshme por edhe të siguronte poltronën e kreut të shtetit për numrin dy të partisë së tij. //ii

XS
SM
MD
LG