Lidhje

Presidenti Bush: Komandantët janë ata që do të vendosin se kur do të quhet lufta e fituar


Presidenti Bush thotë se Pakistani po ndërmerr hapa për dëbimin e terroristëve të Al-Kaidës nga vendstrehimet e tyre në rajonet fisnore, pranë kufirit me Afganistanin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Skot Sterns, opozita demokrate thotë se është koha që Presidenti të fillojë tërheqjen e trupave nga Iraku:

Presidenti Bush e shfrytëzoi fjalimin e tij të përjavshëm në radio me një reflektim mbi Vlerësimin e Zbulimit Kombëtar të javës së kaluar, sipas të cilit, terroristët kanë ndërtuar kapacitetin e tyre, deri në masën për të sulmuar, në saje strehimit që kanë gjetur në Pakistan. Raporti ja atribuon rigjallërimin e Al-Kaidës, marrëveshjes që Presidenti pakistanez Pervez Musharraf bëri vitin e kaluar me udhëheqësit fisnorë. Presidenti Musharraf ra dakord për tërheqjen e trupave qeveritare, në shkëmbim të një premtimi nga udhëheqësit fisnorë për të mos lejuar që Talebanët, apo Al-Kaida të përdorin rajonin. Presidenti Bush tha se Presidenti Musharraf e kupton se ky plan ishte një gabim dhe po ndërmerr hapa aktivë për korrigjimin e tij.

" Forcat pakistaneze janë angazhuar në luftime dhe shumë prej tyre kanë dhënë edhe jetën e tyre. Shtetet e Bashkuara i mbështesin përpjekjet e tyre. Dhe ne do të bashkëpunojmë me partnerët tanë, për të mos lejuar që Al-Kaida të gjejë strehim në Pakistan, apo gjetkë, në ndonjë vend tjetër të botës." ,- tha Presidenti Bush.

Zoti Bush tha se vlerësimi i ri i zbulimit u kujton amerikanëve se ata përballen me një kërcënim të vazhdueshëm dhe në rritje nga Al-Kaida, edhe tani 6 vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork dhe në Washington.

"Burrat që drejtojnë Al-Kaidën janë të vendosur, të aftë dhe të pamëshirshëm. Ata do të ishin në një pozitë shumë më të fortë për të kryer një sulm ndaj popullit tonë, në se ushtria amerikane, agjencitë tona të zbatimit të ligjit dhe ato të zbulimit, si dhe elementë të tjerë të qeverisë sonë të mos ishin angazhuar në një përpjekje në shkallë botërore për t’i ndaluar ata."

Presidenti tha se trupat amerikane duhet të vazhdojnë të luftojnë kundër terroristëve të Al-Kaidës në Irak, për të mos i lejuar ata të kryejnë sulme ndaj Shteteve të Bashkuara. Një anketim i kryer javën e fundit nga rrjeti televiziv CBS News dhe nga gazeta New York Times, thotë se 74 për qind e amerikanëve mendojnë se lufta nuk po shkon mirë.

Dhe rreth dy të tretat e amerikanëve nuk janë dakord me mënyrën se si Presidenti po e trajton luftën. Por megjithë këtë kundërshtim të publikut dhe të shtimit të pakënaqësisë brenda vetë Partisë Republikane të Presidentit, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë duken se kanë besim, se të paktën deri në shtator, do të ndryshojnë opinionet për luftën. Kjo do të ndodhë, kur administrata t’i raportojë Kongresit lidhur me përparimin e bërë pas vendimit të Presidentit për dërgimin e 30 mijë trupave shtesë në Irak.

Në fjalimin në radio të demokratëve, Senatori Karl Levin tha se vlerësimi i zbulimit tregon se lufta në Irak nuk po e bën Amrikën më të sigurtë, ngaqë gjatë luftës ka patur një shtim të kërcënimeve terroriste.

Senatori Levin mbështet një ligj, i cili do ta detyrpnte Presidentin Bush të fillojë tërheqjen e trupave luftarake brenda 120 ditësh. Pas një debati që vazhdoi gjatë gjithë natës javën e kaluar, amendamenti nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u miratuar, megjithëse disa republikanë votuan për të dhe disa të tjerë shfaqën shqetësim për mënyrën e trajtimit të luftës.

Zoti Levin tha se udhëheqësit demokratë do të kërkojnë me forcë një tjetër votim për ligjin:

"Në se ata ligjvënës republikanë që thonë se duan një ndryshim të politikës në Irak do të votojnë për këtë, ne mundet të fillojmë t’i sjellim trupat tona në shtëpi dhe t’i detyrojmë udhëheqësit politikë irakianë të marrin përgjegjësinë për vendin e tyre. Kjo është e vetmja shpresë për të arritur suksesin në Irak."

Projektligji i propozuar nga zoti Levin, i le afat Presidentit Bush deri në prillin e ardhshëm, që t’i ripozicionojë trupat amerikane për të mbrojtur diplomatët amerikanë, të stërvisë ushtarët irakianë dhe të përqëndrohet më tepër tek lufta kundër Al-Kaidës.

Presidenti Bush thotë se ai do të marrë një vendim për tërheqjen e trupave nga Iraku, bazuar tek këshilla e politikanëve në Washington. Ai thotë se është në dorën e komandantëve në fushën e betejës, për të vendosur se kur do të jetë fituar lufta.//lk

XS
SM
MD
LG