Lidhje

Kremrat e lëkurës – sa na mbrojnë ato nga dielli?


Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se çdo vit zbulohen të paktën 130 mijë raste të melanomës malinje, tipi më vdekjeprurës i kancerit të lëkurës, si dhe mbi 2 milionë raste kancerash të tjerë të lëkurës. Pasi pjesa më e madhe e rasteve të kancerit e kanë zanafillën tek ekspozimi i tepruar ndaj diellit, shumë njerëz kanë filluar të përdorin kremra me përmbajtje kimike që pengojnë djegien e lëkurës nga rrezet e diellit. Megjithatë, kjo praktikë ka zgjuar pyetjen se sa të efektshme janë këto kremra?

Një ditë qetësuese në plazh... Por megjithëse dielli mund të na bëjë të ndjehemi mirë, rrezet ultraviolet dëmtojnë elasticitetin e lëkurës.

Në dyqane, kur përpiqesh të gjesh kremin e duhur kundër diellit, mund të ngatërrohesh nga llojet e ndryshme: që nga ato që premtojnë se funksionojnë edhe pasi futesh në det, deri tek ato që thonë se nuk fshihen nga djersa.

Dermatologu Darrel Rigel i Departamentit të Mjeksisë në Universitetin e Nju Jorkut i sheh me dyshim këto premtime: "Ka shumë fjalë për kremrat kundër diellit. Por në fakt askush nuk garanton se këto premtime janë të sakta."

Studimet e Grupit të Punës për Mjedisin në Uashington u bazuan në efektivitetin e kimikateve që përdoren në këto kremra. Rezultatet e studimeve treguan se vetëm 16 për qind e rreth 800 produkteve konsideroheshin të padëmshme dhe të efektshme.

Por si do të orientohet konsumatori për të gjetur kremin e përshtatshëm? Pjesa më e madhe e tyre kanë një shifër të shoqëruar me inicialet SPF, që nënkupton “Faktorin Mbrojtës nga Dielli.” Sa më i lartë ky numër, aq më e madhe mbrojtja nga dielli.

Duhet të lexoni gjithashtu paralajmërimet me shkronja të imta, për të parë nëse kremrat kanë kimikate në përbëtjet e tyre.

Dr. Xhejms Spenser i Fakultetit të Mjeksisë Mount Sinai në Nju Jork thotë se për të lexuar këto etiketa në disa raste duhet të jesh i diplomuar në mjeksi:

"Nëse nuk je dermatolog apo kimist, nuk ka se si të dish të zgjedhësh kremin më të mirë për t’u mbrojtur nga dielli."

Kanceri i lëkurës shfaqet në disa nga format më vdekjeprurëse si karsinoma, apo melanoma, të cilat janë edhe më të vështirat për t’u kuruar. Njerëzit e racës së bardhë apo me lëkurë të çelët dhe me sy të çelët kanë më shumë prirje për t’u djegur nga dielli, se sa ata me lëkurë më të errët dhe me sy të errët. Por dermatologët thonë se rreziku u kanoset të gjithë atyre që ekspozohen për një kohë të gjatë ndaj diellit. //ii

XS
SM
MD
LG