Lidhje

Sekretarja Rajs i bën thirrje udhëheqjes kosovare të tregohet e duruar


Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs i bëri thirrje udhëheqjes kosovare që të tregohet e duruar dhe të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga negociatat intensive të periudhës shtesë prej 120 ditësh. Gjate nje takimi ne Departamentin e Shtetit, me grupin e unitetit, zonja Rajs tha se statusi i Kosovës, duhet të zgjidhet.

Ndërkohë zyrtarë të lartë amerikanë thanë të hënën në Departamentin e Shtetit se udhëheqja kosovare u largua nga takimet me Sekretaren Rajs dhe zyrtarët e tjerë, optimiste se rruga për të ardhmen e Kosovës nuk është e bllokuar.

Shtetet e Bashkuara, thanë zyrtarët, kanë besim të plotë se udhëheqja e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian ashtu si edhe në të kaluarën dhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim të njëanshëm pa u konsultuar me SHBA dhe me BE. Ata thanë se shumë shpejt do të fillojë periudha 120 ditëshe e angazhimit intensiv në bisedime dhe pas kësaj nuk do të ketë më shtyrje.

Zyrtarët thanë se udhëheqja e Kosovës i ka vënë vetes objektiva të mëdha dhe të guximshme që u kishin lënë atyre mbresa të thella. Udhëheqja e Kosovës, thanë ata, është e përkushtuar për të hartuar Kushtetutën, për të përcaktuar simbolet shtetërore, për një legjislacion të përparuar që përfshin decentralizimin si dhe përcaktimin e kufijve të zonave që do të qeverisen nga pakica serbe. Po aq mbresëlënës, thanë ata, është edhe predispozicioni i udhëheqjes kosovare për të marrë dhe ushtruar kompetencat që ka tani UNMIKU si dhe për të hartuar ligjin e zgjedhjeve dhe jo vetëm për ato parlamentare por edhe lokale.

Udhëheqja e Kosovës, thanë zyrtarët amerikanë, është gjithashtu thellësisht e angazhuar për të kryer reformat dhe plotësuar të gjitha standardet. Zyrtarët e lartë thanë se pavarësia e Kosovës është e pashmnagëshme. Këtë, theksuan ata, e kanë shprehur qartë Presidenti Bush dhe Presidenti francez Sarkozi dhe të njëjtën deklaratë përsëriti kohët e fundit Sekretarja Rajs në Lisbonë. Presidenti Bush, thanë zyrtarët, u shpreh fare qartë gjatë vizitës së tij në Shqipëri se Kosova do të jetë e pavarur dhe kjo nuk ishte një deklaratë e rastit por një deklaratë e peshuar mirë.

Shtetet e Bashkuara, thanë zyrtarët e lartë amerikanë në Departamentin e Shtetit, kanë besim se megjithë disa divergjenca në radhët e Bashkimit Evropian, BE-ja do ta përballojë sfidën.

XS
SM
MD
LG