Lidhje

McCormack: SHBA nuk e kanë ndryshuar qendrimin se do të mbështesin vetëm pavarësi të plotë për Kosovën


Në atmosferën e një morie aktivitetesh diplomatike rreth statusit të ardhshëm të Kosovës, administrata e Presidentit Bush vazhdon të theksojë se ajo e mbështet planin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari i cili i jep Kosovës pavarësi të mbikqyrur.


Përfaqësuesit ndërkombëtarë u takuan dje në Vjenë për të përcaktuar rrugën që do të ndjekin bisedimet e bllokuara mbi statusin e ardhshëm të Kosovës. Por zyrtarët nuk pranuan të komentojnë pas përfundimit të takimit dhe nuk pati ndonjë deklaratë për mediat. Bisedimet e reja mund të fillojnë në muajin gusht.

Mosmarrëveshja kryesore ka të bëjë me propozimin e bërë nga ish i dërguari i OKB-së për statusin e ardhshëm të Kosovës, Martti Ahtisaari, që parashikon pavarësi të mbikqyrur.

Në mbështetje të propozimit të Ahtisarit janë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të Bashkimit Europian. Rusia dhe qeveria serbe janë kundër këtij plani. Nga ana e tij, Beogradi propozon autonomi për Kosovën.

Javën e kaluar, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk e hodhi në votë një projekt-rezolutë për Kosovën për shkak se Rusia kishte deklaruar se do t’i vinte veton. Ndërkohë, të martën mbrëma, parlamenti serb miratoi një rezolutë ku thuhej se Beogradi do të përgjigjej me forcë nëse Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian e njohin pavarësinë e Kosovës pa pëlqimin e Kombeve të Bashkuara.

Dje në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean McCormack e pranoi ekzistencën e mosmarrëveshjeve, të cilat, tha ai, të paktën tani për tani duket se janë të vështira për t’u zgjidhur.

"Do të ishte ideale nëse do të mund të arrinim marrëveshje të plotë për çështjen. Nuk jam i sigurt nëse do të arrijmë dot në atë pikë. Mendoj se duke patur parasysh se ku jemi me përpjekjet diplomatike, nuk ka të ngjarë të arrijmë në një marrëveshje të plotë," tha zoti McCormack.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit theksoi se është objektiv politik i administratës amerikane që të mbështesë pavarësinë për Kosovën bazuar mbi planin Ahtisari. Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse Kosovës nuk i jepet pavarësia, kjo mund të çojë në shpërthimin e dhunës në rajon.

"Kjo nuk do të ishte e mirë për popujt e rajonit, nuk do të ishte e mirë për ne. Ne jemi të interesuar që rajoni të jetë më i qendrueshëm."


Ndërkohë po shtohen shqetësimet ndërkombëtare se udhëheqësit e Kosovës po bëhen gjithnjë e më të pakënaqur nga shtyrjet dhe vonesat dhe se ata mund ta shpallin pavarësinë në mënyrë të njëanëshme.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit shtoi se negociatorët amerikanë u kanë parashtruar rusëve propozime mjaft “të përparuara” siç i quajti ai. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ndryshuar qendrimin se do të mbështesin vetëm pavarësi të plotë për Kosovën por po punojnë në aspektin diplomatik për të parë se cilat vende të tjera mund të tërhiqen në mbështetje të pozicionit amerikan dhe atij të Bashkimit Evropian. //ii

XS
SM
MD
LG