Lidhje

SHBA: Optimizëm dhe ankth për të ardhmen ekonomike


Sipas një studimi të ri, klasa e mesme amerikane e sheh të ardhmen ekonomike me optimizëm por edhe me ankth. Amerikanët po fitojnë më shumë se kurrë më parë, por nga ana tjetër edhe po punojnë më shumë për të realizuar synimet e tyre financiare.

Në këtë periudhë fitimesh rekord për korporatat, një anketë e fundit tregon se pasiguria e klasës së mesme amerikane për ekonominë po rritet gjithnjë e më shumë.

Sipas një ankete të vitit 2007 nga firma Lake Research Partners, vetëm 18 për qind e amerikanëve besojnë se e kanë realizuar Ëndrrën Amerikane.

“Ideja e ëndrrës amerikane i ka rrënjët tek puna dhe tek vendi i punës. Është e lidhur me idenë e punës. Nuk buron nga pushimet në ishujt Bahamas, apo tek ndonjë llotari”.

Presidentja e kësaj firme, Celinda Lake thotë se për amerikanët endrra amerikane është siguria bazë ekonomike.

“Ata thonë se në themel ishin pagat që bëjnë të mundur mbajtjen e familjes, kujdesi shëndetësor i përballueshëm ekonomikisht, shanset për fëmijët, respekti për punën dhe siguria e kohës së pensionit”.

Ndërkohë, fitimet e korporatave amerikane po rriten me ritme galopante. Instituti i Politikave Ekonomike njofton se në vitin 2005, një drejtor ekzekutiv i njërës nga 500 kompanitë më të mëdha të Amerikës, fitoi mesatarisht 262 herë më shumë sesa punonjësi i zakonshëm.

Elisabeth Jacobs e Institutit Brookings thotë se në përgjithësi mirëqenia e amerikanëve është rritur gjatë dekadave të fundit. Por ajo shton se klasa e mesme nuk po merr atë që i takon nga ekonomia amerikane.

“Të ardhurat për familje janë shtuar, por amerikanët po punojnë më shumë se kurrë ndonjëherë më parë për t’i siguruar këto të ardhura. Po ashtu, është rritur edhe paqendrueshmëria e të ardhurave, çka do të thotë se shumë familje përballen me një të ardhme të pasigurt”.

Jacobs thotë se humbja e të ardhurave të mëdha po bëhet gjithnjë e më e zakonshme, ndërkohë që gjithnjë e më shumë amerikanë humbin punën nga transferimi i vendeve të punës jashtë Shteteve të Bashkuara, ose nga shkurtimet. Kostoja e sigurimeve shëndetësore po rritet jashtë mase, duke i lënë rreth 46 milionë amerikanë pa sigurime shëndetësore. Kostoja e universiteteve është rritur gjatë 26 viteve të fundit.

Jim Kessler i organizatës Third Way thotë se pasiguria në klasën e mesme amerikane është një nënprodukt i ndryshimeve globale ekonomike.

“Ne po jetojmë një periudhë transformimi ekonomik që ndodh një herë në shekull dhe i bën njerëzit të pasigurt. Klasa e mesme mendon se rregullat për sukses ekonomik kanë ndryshuar dhe ata nuk kanë ndonjë ndihmë për t’i kuptuar”.

Kessler thotë se ristrukturimi global ekonomik nuk do të ndalet dhe as do të ngadalësohet. Ai mendon se rruga për t’i ndihmuar punonjësit amerikanë që të arrijnë suksesin në ekonominë e re globale është që arsimi i lartë të bëhet i përballueshëm ekonomikisht për të gjithë amerikanët. //kk//

XS
SM
MD
LG