Lidhje

Serwer: SHBA duhet ta kishin hedhur në votë në Këshillin e Sigurimit rezolutën për Kosovën


Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta kishin tërhequr rezolutën nga Këshilli i Sigurimit dhe duhet ta kishin hedhur atë në votë, pavarësisht nga kërcënimi i Rusisë për veto, thotë eksperti i Ballkanit në Institutin Amerikan të Paqes, Daniel Serwer. Sipas analistit amerikan, vendosmëria e Shteteve të Bashkuara për ta zgjidhur çështjen e Kosovës edhe jashtë Këshillit të Sigurmit, do të ishte mundësia më e mirë për arritjen e një zgjidhjeje. Në një intervistë me kolegen Zamira Edwards, zoti Serwer i bën thirrje udhëheqjes së Kosovës që të fillojë të marrë përgjegjësitë e një shteti sovran.

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, në fillim të kësaj jave, Ekipi i Unitetit i Kosovës u takua me Sekretaren amerikane të Shtetit Kondolisa Rajs. Pas këtij takimi, ju patët një takim me Ekipin e Unitetit. Cila është përshtyrja juaj rreth takimit në departamentin e shtetit?

Daniel Serwer: Shqiptarët kanë mbetur të zhgënjyer me situatën e tanishme. Edhe unë vetë jam i zhgënjyer. Është e qartë se raundi i parë i bisedimeve u fitua nga Beogradi dhe Moska dhe çështja se ku po drejtohemi nuk është shumë e qartë. Ajo që duhet bërë është një periudhë fikse për negociata të mëtejshme. Unë nuk pres shumë rezultat prej negociatave, por është më se e qartë se ky është drejtimi që ka zgjedhur komuniteti ndërkombëtar dhe duhet vepruar sa më shpejt që të jetë e mundur. Amerikanët duhet të luajnë një rol aktiv, gjë që nuk e kanë bërë, në mënyrë që të arrihet maksimumi në negociata.

Zëri i Amerikës: Ju thoni se amerikanët nuk kanë luajtur rol aktiv udhëheqës në këtë proces. Fakti është se Uashingtoni për muaj me radhë është shprehur në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, deri në qarqet më të larta, me deklaratën e presidentit Bush në Shqipëri. Si do të arrijnë Shtetet e Bashkuara në këtë zgjidhje të çështjes së Kosovës?

Daniel Serwer: Kjo është një çështje kritike. Amerikanët kanë bërë deklaratat e duhura, tani ata duhet të ndërmarrin veprimet e duhura. Mbeta i zhgënjyer që rezoluta për Kosovën nuk u hodh në votë në Këshillin e Sigurimit. Kjo ishte shenja e parë që tregoi se amerikanët po tërhiqeshin dhe po bëheshin gati për një periudhë të re negociatash. Mendoj se amerikanët duhet të veprojnë të mbështetur në bindjen që Kosova të jetë e pavarur. Dhe kjo do të thotë që ata ta paraqesin rezolutën për votim në Këshillin e Sigurimit edhe nëse Rusia i vë asaj veton dhe të bëhen gati të veprojnë me shpejtësi më pas me mbështetjen e disa vendeve evropiane për të njohur sovranitetin e Kosovës. Shumë prej nesh në Uashington pyesim se pse duhet të presim që Moska të mbështesë pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë evropianët kërkojnë më shumë kohë, edhe pa kufi, por unë mendoj se gjendja e tanishme në Kosovë nuk do të vazhdojë përgjithmonë nëse nuk meret një vendim.

Zëri i Amerikës: Ç’mendoni ju se do të ndodhë pas shtyrjes 120 ditëshe. A do të ketë më shumë bisedime, apo do të merret një vendim përfundimtar?

Daniel Serwer: Është shumë e rëndësishme gjatë negociatave që palët të kenë një ide të qartë se ç’do të bëjnë nëse negociatat dështojnë, sepse kjo të jep mundësi për të manovruar. Beogradi në raundin e parë të negociatave pati një ide më të qartë se sa Prishtina se cilat ishin alternativat në mungesë të një rezultati nga bisedimet. Prishtina duhet të ketë parasysh një strategji që duhet të jetë paqësore, që mbështet plotësisht të drejtat e popullsisë serbe dhe që pasqyron vullnetin e pjesës më të madhe të popullsisë. Fatmirësisht gjendja në Kosovë ka qënë shumë e qetë dhe për këtë një meritë të madhe ka Ekipi i Unitetit dhe udhëheqja e Kosovës. Megjithatë, unë mendoj se duhet marrë një vendim përfundimtar për çështjen e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Ndërkohë, udhëheqja shqiptare ka qënë e sukseshsme drejt këtij objektivi, pra për të ruajtur qetësinë, duke pritur që komuniteti ndërkombtar të gjente një zgjidhje. Por nga ana tjetër ka edhe shumë pakënaqësi, për shkak të zvarritjeve të njëpasnjëshme. A është kjo shqetësuese?

Daniel Serwer: Po është shqetësuese. Shtetet sovrane veprojnë për vete, nuk presin për të tjerët. Dhe do të vijë një kohë që institucionet në Kosovë do të detyrohen të marrin përsipër përgjegjësinë e sovranitetit dhe shprehjes së vullnetit të popullit. Dhe këtë duhet ta bëjnë në mënyrë shumë të përgjegjeshme dhe të kujdesshme. Për shembull, është shumë e dëmshme që Kosova sot nuk ka përfaqësi në botë, në Uashington, në Moskë, në Bruksel. Kjo është folur prej vitesh dhe unë nuk e di se përse, ndoshta jo në Moskë, por përse Kosova nuk ka dërguar njeri në Uashington për ta përfaqësuar. Unë nuk shoh arësye se përse jo, vetëm në se ata nuk bien dakort se kë të dërgojnë. Kjo është e pajustifikueshme. Në bisedime të kësaj natyre nuk shkohet pa patur përfaqësues. Mali i Zi kishte përfaqësues prej vitesh, edhe kur ishte bashkë me Serbinë. Sovraniteti nuk duhet vetëm pretenduar, por edhe duhet të veprosh si shtet sovran. Ka ardhur koha që Prishtina të marrë përgjegjësi të plota dhe mbi të gjitha të mbrojë qytetarët e saj serbë, pasi është përgjegjësi e shtetit, pavarësisht se kush e ka shumicën, që të mbrojë gjithë qytetarët dhe pronat e tyre. Pra Kosova duhet të fillojë t’i marrë këto përgjegjësi edhe në kushtet e mungesës së njohjes zyrtare. Ajo mund të dërgojë përfaqësues, që mund të quhen, përfaqësues tregëtarë, ose të kenë emër tjetër, nuk ka rëndësi.

Zëri i Amerikës: Nga pikëpamja ndërkombëtare, Rusia është në mes të këtij problemi. Si mund të bindet Rusia të japë pëlqimin për një rezolutë, që do të zgjidhte këtë gjendje?

Daniel Serwer: Mendimi im personal është se Shtetet e Bashkuara duhet të tregojnë se janë të vendosura të veprojnë edhe pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Rusia nuk mund të blihet, po ashtu edhe Serbia. Në fakt, Serbia dhe Rusia do të përfitonin më shumë në se vendimi do të merrej nga Këshilli i Sigurimit, se sa jashtë tij. Dhe ditën që Shtetet e Bashkuara do ta bënin të qartë se do të merrnin vendim jashtë Këshillit të Sigurimit, ajo do të ishte dita që rezoluta mund të miratohej. Shtetet e Bashkuara ende nuk e kanë bërë këtë, pasi nuk e çuan rezolutën për votim, dhe nuk e bënë të qartë se ishin të përgatitura të vazhdonin menjëherë me procesin. Uashingtoni duhet ta bëjë të qartë, se është i vendosur të përparojë me çështjen e statusit jashtë OKB-së, në rast se Këshilli i Sigurimit nuk bie dakort. Kjo do të thotë që rezoluta të paraqitet për votim, dhe që Rusia t’i verë veton ashtu siç ka kërcënuar të bëjë. Por kjo nuk ndodhi. Rezoluta u tërhoq. Për mua ky nuk është demonstrim i mirë i diplomacisë amerikane.

Zëri i Amerikës: Sipas pikëpamjes tuaj, cilët janë skenarët e mundshëm, më pozitivi dhe më negativi për ta zgjidhur statusin e Kosovës?

Daniel Serwer: Skenari më i mirë është një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit që të miratohej edhe nga Këshilli i Sigurimit. Unë do të uroja që Beogradi të binte dakort dhe të njihte pavarësinë e Kosovës. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Sot duket si e pamundur, por unë ende do të përpiqesha për të, në se do të isha duke u marrë me statusin e Kosovës. Skenari më i keq që mund të ndodhte do të ishte dhuna kundër serbëve në Kosovë. Kjo do të thoshte të mos merrej asnjë vendim në Këshillin e Sigurimit dhe jo njohje ndërkombëtare, pasi Shtetet e Bashkuara nuk do të njihnin një shtet që nuk i trajton si duhet pakicat e veta. Sot, ne jemi diku në mes të këtyre dy skenarëve, në një situatë të paqartë dhe duhen bërë përpjekje për të mundësuar alternativën më të mirë. //ze//

XS
SM
MD
LG