Lidhje

Në Afganistan shtyhet përsëri afati për lirimin e 22 koreano-jugorëve


Në Afganistan, një person i vetquajtur zëdhënës taleban tha se ekstremistët e kanë shtyrë afatin për të negociuar lirimin e 22 pengjeve koreano-jugore.

Zëdhënësi taleban, Yousuf Ahmadi, tha se afati i ri skadon nesër në mesditë. Afati i mëparshëm, që ishte dje, skadoi pa u arritur ndonjë marrëveshje.

Një i dërguar i lartë i Koresë së Jugut po shkon në Afganistan në përpjekje për të siguruar lirimin e pengjeve.

Më herët një person i prezantuar si zëdhënës taleban u tha agjencive perëndimore të shtypit se ende ka vend për negociata. Ai konfirmoi gjithashtu se 22 pengjet janë ende gjallë.

Para nisjes për në Afganistan, Sekretari i parë presidencial për çështjet e sigurisë në Korenë e Jugut, tha se rrëmbyesit do të mbahen përgjegjës për vrasjen e njërit prej pengjeve.

Viktima është identifikuar si 42-vjeçari Bae Hiung-ku, punonjës i një organizate të krishterë bamirëse. Trupi i tij, i qëlluar me plumba, u gjet dje në pronvincën Ghazni.

Presidenti i Koresë së Jugut Roh Moo-huyn e dënoi vrasjen. Ai u bëri thirrje ekstremistëve talebanë të lirojnë menjëherë pengjet e tjera.

Ndërkohë, ushtria amerikane në Afganistan tha se forcat e koalicionit kanë vrarë më shumë se 50 kryengritës në një betejë në provincën jugore Helmand.

Në një deklaratë të ushtrisë thuhet se forcat e koalicionit nuk pësuan ndonjë dëm, por nuk pati të plagusur as në popullsinë civile gjatë betejës 12 orëshe që përfundoi sot më herët.

Avionët e koalicionit u thirrën në ndihmë gjatë luftimeve pranë fshatit Musa Kala. Ushtria amerikane tha se më shumë se 160 kryengritës janë vrarë në zonë që nga e shtuna.

Ndërkaq, një ushtar britanik u vra sot gjatë operacioneve të NATO-s kundër ekstremistëve në jug të Afganistanit.

Veprimet me dhunë janë shtuar në Afganistan gjatë 18 muajve të fundit, periudha më me gjakderdhje që kur trupat e udhëhequra nga amerikanët përmbysën qeverinë e talebanëve në vitin 2001. //ze//

XS
SM
MD
LG