Lidhje

Shqipëri: Zyrtarët, optimistë se zjarret mund të kontrollohen shpejt


Në Shqipëri situata e zjarreve mbetet problematike në zonën veriore të vendit. Sot në operacionet për shuarjen e tyre ka ndërhyrë edhe avioni cisternë i marrë nga qeveria të cilit pritet që t’i bashkohen edhe dy helikopterë. Drejtori i emergjencave civile Alfred Olli shpjegon për Zërin e Amerikës se gjendja ka ardhur duke u përmirësuar e se ajo mund të kapërcehet brenda një kohe të shkurtër. Sipas zotit Olli dëmet nuk janë aq të mëdha sa ato të raportuara nga mediat, ndonëse një bilanc përfundimtar do të bëhet në ditët e ardhshme

Çdo ditë në mengjes, në zyrën e tij Drejtori i Emergjencave Civile ka në tryezë një përshkrim të detajuar të vatrave të zjarreve, ndërsa gjatë gjithë kohës ai merr informacion nga terreni, koordinon ndihmën që është ofruar nga disa vende dhe është në kontakt me autoritetet më të larta të vendit

Situata këto ditë është përmirësuar. Në operacionet për shuarjen e zjarrit ka ndërhyrë sot edhe një avion cisternë, që mund të mbajë deri në 8 ton ujë, i marrë nga qeveria shqiptare me qera nga Ukraina, me një kosto prej disa dhjetra mijë eurosh. Më e vështirë gjendja është aktualisht në Veri.

“Mbetet më problematike në qarkun e Shkodrës, në rrethin e Pukës. Dje kemi qenë në terren dhe ekzistojnë 7-8 vatra në aktivitet të plotë. Problematike është gjendja dhe në rrethin e Tropojës. Vazhdon ende zjarri në grykën e Valbonës dhe këtu vazhdon prej katër ditësh, por nuk kemi futjen e zjarrit në masivin e bukur të Valbonës.Jemi në periferi dhe po digjen shkurre dhe pyje të vegjël në të dy anët e skarpatit të grykës, pra nuk është prekur parku kombëtar."

Megjithatë edhe aty situata është e rrezikshme dhe do të mundësojmë kalimin e avionit për të operuar.

“Zjarri në Kukës në komunën e Surroit vazhdon dhe na ka krijuar një lidhje të rrezikshme me komunën e Fanit në rrethin e Mirditës sepse duke qenë komuna kufitare dhe me pyll të përbashkët ka kaluar zjarri edhe aty. Gjendja është e vështirë. Nëse do të mbajmë nën kontroll këto vatra që ekzistojnë dhe me ndihmën e forcave operacionale nga ajri do të bëjmë të mundur shuarjen, nuk besoj se do të kemi kohëzgjatje të vatrave të zjarrit.”

Avionit cisternë sot pritet t’i bashkohen edhe dy helikopterë.

“Avioni do të operojë për katër ditë. Ne sot do të mund të kemi në gjendje edhe dy helikopterë dhe besoj se do të jenë të mjaftueshëm për territorin e Shqipërisë.”

Pavarësisht se përmasat e zjarreve këtë vit kanë qenë si kurrë më parë, zoti Olli shpjegon se dëmet nuk janë aq të mëdha dhe se parqet kombëtare i kanë shpëtuar flakëve.

“Dëmet nuk janë në ato nivele të deklaruara në televizion. Shifër akoma nuk mund të jap sot. Me ato që kam parë nga inspektimet, mund të shkojë deri në 200-300 hektarë sipas mendimit tim. Pavarësisht vatrave që ne kemi patur gjatë këtij dy javori. Deri tani nuk ka pyje masive të prekura ose parqe kombetare dhe dëmtimet ne këto parqe të mbrojtura nuk kane qenë të mëdha, por në shumë raste te minimizuara. Fenomeni i zjarrit ka dy faza qe njihen, faza e përshkimit dhe ajo e djegies. Faza e djegies është ajo që shkatërron. Deri tani kemi patur sipërfaqe te përshkuara nga zjarri, sipërfaqe shkurresh me pyllëzim të ulët dhe në zonat me pyll të madh nuk ka patur shumë dëme”.

Zoti Olli thotë se në mjaft raste zjarret janë vënë qëllimisht.

“Jam plotësisht i bindur që ka zjarrvënie me qëllim. Dhe forca e shërbimit pyjor mes njerëzve që ka në terren duhet të ketë një aspekt të punës së vet ruajtjen e pyllit. Edhe bariu që kullot bagëtitë është nje nga shkaktarët e zjarrit, ose një firmë që punon në shfrytëzimin e pyjeve për një pakujdesi të vogël mund të shkaktoje zjarrin. Dhe është vrojtuesi që duhet të na i reklamojë ne”.

Situata e kësaj vere ka nxjerrë në pah nevojën e ndryshimeve jo vetëm në strukturë por edhe në përmirësimin e teknologjisë dhe mjeteve.

“Ka nevojë për ristrukturim të shërbimit të emergjencave në Shqipëri. Këtë e kemi ndjerë që në fillim të kësaj situate. Teknologjia ka probleme, sidomos shërbimi zjarrfikës. Ne kemi mjete të vjetra. Na është dhënë fjala dhe premtimi që mbase në buxhetin e vitit 2008 të blihet edhe një helikopter për shërbimin zjarrfikës shqiptar”.

Zjarret nisën të shfaqen që prej më shumë se dy javësh. Ato arritën kulmin në fillimin e kësaj jave kur edhe temperaturat arritën nivele maksimale, duke u shpërndarë nga Veriu në Jug të vendit. //ii

XS
SM
MD
LG