Lidhje

Tajgër Uds i angazhuar përtej golfit


Tiger Woods erdhi në Washington javën e kaluar për të drejtuar turneun e tij të parë profesional – AT&T National. Lojtari numër një në botë po përpiqet të ketë ndikim përtej golfit dhe të grumbullojë fonde për një nga organizatat e tij bamirëse. Fondacioni Tiger Woods ofron programe edukimi për fëmijët që nuk e përballojnë dot atë financiarisht.

Mjafton emri për të treguar historinë. Në moshën 31 vjeçare, Tiger Woods ka fituar 11 kampionate profesionale të golfit – më shumë se kushdo tjetër në këtë moshë dhe po synon rekordin e vendosur nga Jack Nicklaus me 18 kupa. Shumë e konsideronin atë rekord të paarritshëm vetëm 10 vjet më parë. Tani Woods pritet ta thyejë atë.

Revista Forbes e radhit Woods si një nga atletët më të pasur në botë. Ai ka bërë më shumë se 100 milion dollarë vitin e kaluar nga çmimet dhe reklamat. Por Woods jep një pjesë të madhe të të ardhurave për bamirësi. Ai sponsorizon tre organizata bamirëse përfshi Fondacionin Tiger Woods.

Turneu i Woodsit rikthen golfin profesional në zonën e Washingtonit pasi Shoqata e Golfit Profesional e hoqi atë nga lista vitin e kaluar.

Komisioneri i turneut të golfit Tim Finchem shpjegoi në mars rëndësinë e përfshirjes së Woods.

“Tiger Woods nuk ka qenë thjesht një lojtar i madh, jo vetëm konkurent i shkëlqyer por ka ndyshuar pamjen e lojës së golfit dhe padyshim e ka rritur ndikimin e anës profesionale të sportit. Përfshirja e tij e drejtëpërdrejtë në Washington DC është diçka e veçantë”.

Origjina e tij e përzier është pjesë e tërheqjes ndaj Woods. Babai i tij ishte afrikano-amerikan. Nëna është tailandeze. Ai i vlerëson të dy prindërit që i mësuan vlera që e frymëzojnë në jetën e përditshme dhe që ndikojnë në punën e tij të bamirësisë.

Woods kërkon të zgjerojë Fondacionin Tiger Woods nga bregdeti perendimor i Amerikës në zonën e Washington DC. Ai thotë se fondet e grumbulluara gjatë turneut të tij do të kenë ndikim në arritjen e synimit të tij.

“Shpresoj që të ketë ndikim pozitiv të mjaftueshëm për të patur mundësi të dhurojmë një shumë të konsiderueshme për bamirësi në komunitetin lokal këtu si dhe të gjejmë një vend ku të ndërtojmë qëndrën tonë të mësimit në Bregun Lindor. Ky është synimin ynë dhe ky është hapi i parë për ta arritur atë”.

Jeta personale e Woods mori kohët e fundit një kthesë dramatike. Ai dhe bashkëshortja e tij Elin u bënë me një fëmijë, Sam Alexis dhe Woods thotë se vajza e tij i jep një prespektivë të re për rolin që ai duhet të luajë.

“Si mund ta duash dikë që nuk ekzistonte një ditë më parë kaq shumë? Ne nuk kishim provuar një ndjenjë të tillë më parë. Sigurisht është një ndjenjë ndryshe, shumë e veçantë që do të donim ta provojmë përsëri”.

Woods thotë se e di që fama e tij e bën jetën në familje më të vështirë. Ai udhëton shumë gjatë vitit por thotë se planifikon ta bëjë familjen përparësinë e tij kryesore ashtu siç bënë nëna dhe babai për të.

“Përsa i takon biznesit ka shumë mundësira kudo. Çdo gjë varet nga zgjedhja e duhur por tani që u bëra me fëmijë, ndoshta nuk do të eksploroj aq shumë sa më parë. Përparësitë e mija tani janë të qëndroj pranë familjes, të jesh aty për Samin dhe Elinën. Kjo është e rëndësishme për mua dhe do të jetë kështu edhe në të ardhmen”.

Kampionati Woods tërhoqi 139 mijë njerëz dhe katër nga gjashtë lojtarët e tjerë kryesorë të golfit në botë. K.J. Choi i Koresë së Jugut fitoi kupën. Woods u rendin i teti. Ai thotë se luajti për të fituar por që nga lindja e vajzës së tij, ka kuptuar se fitorja nuk është gjithçka. //iç

XS
SM
MD
LG