Lidhje

SHBA: Ndërhyrje embrionale për fertilitetin


Për herë të dytë brenda një viti, Presidenti Bush i vuri veton një projekt-ligji që do t’i kishte hapur rrugën përdorimit të fondeve federale për studimin e qelizave embrionale. Qëndrimi i tij pasqyron pikëpamjen e konservatorëve sipas së cilës shkatërrimi i jetës për të krijuar jetë është diçka imorale. Por kur prekesh personalisht, pikëpamjet mund të ndryshojnë.

Jeff dhe Le Jeanna Raymond janë prindër të lumtur. Por nuk ishte e lehtë për ta që të kishin vajzën e tyre të bukur Pender. Jeff ishte prift në Kishën konservatore Baptiste në Karolinën e Veriut.

Gjatë 10 vjetëve martesë, ata kishin shpresuar dhe ishin lutur që të bëheshin me fëmijë, por kishin një problem. Le Jeanna kishte një çrregullim gjenetik.

“Katër anëtarë të familjes sime kanë të meta mendore dhe fizike shkaktuar nga ky çrregullim”.

Të dy ata nuk donin të kishin një fëmijë me të meta. Le Jeanna mori vesh për një studim në Qendrën për Fertilitetin në Shady Grove të Maryland-it. Atje, përmes një procedure të diagnostikimit gjenetike, vezët e gruas nxirren dhe fertilizohen. Embrionet me gjene difektive hiqen dhe embrioni i shëndetshëm vendoset në mitrën e nënës. Kështu fillon shtatzania.

Megjithëse konservatorët fetarë besojnë në përgjithësi se jeta fillon sapo krijohet embrioni dhe se shkatërrimi i një jete njerëzore është mëkat, Jeff dhe Le Jeanna e kryen procedurën. Rezultati ishte vogëlushja e tyre Pender.

“Lumturia jonë është e papërshkrueshme dhe nuk mund të matet me asnjë lloj shume parash”.

Jeff Raymond thotë se vendimi për ta kryer procedurën e debatueshme nuk e bëri atë të ndjehej keq moralisht.

“Ne na duket se çdo gjë është bërë me bekimin e zotit”.

“Çdo gjë në botë mund të përdoret për qëllime të mira ose djallëzore. Me teknologjinë është e njëjta gjë”.

“Ne mendojmë se të përdorësh shkencën për të krijuar një bebe siç e do, me sy blu dhe flokë gështenjë, me gjatësinë dhe zgjuarsinë që do, është ndryshe nga ndërhyrja për të parë nëse foshnja është e shëndetshme apo jo”.

Në fakt, gjenetisti William Kearns ua bën të qartë të gjithë pacientëve se Klinika e Fertilitetit në Shady Grove nuk krijon bebe sipas modeleve.

“Ne po ndihmojmë familjet që të realizojnë ëndrrën e tyre. Dhe mendoj, madje jam i sigurt që kjo është diçka e mirë”.

E gjithë procedura i kushtoi çiftit Raymond afro 30 mijë dollarë.

“Ne e konsideruam si një pagesë për një makinë. Njerëzit blejnë makina aq të kushtueshme. Pse të mos investosh për një fëmijë?”.

Çifti Raymond thotë se kisha ishte në krah të tyre për këtë vendim, madje kur embrioni u vendos me sukses, një anëtar i saj qarkulloi një letër për të gjithë anëtarët e tjerë ku shkruhej: Jemi shtatzënë. //iç

XS
SM
MD
LG