Lidhje

Xhenerël Motors projekton një makinë elektrike


Përfaqësues të prodhuesit amerikan General Motors ishin në Washington për të paraqitur makinën Chevy Volt e cila punon me energji elektrike. General Motors thotë se kjo makinë do të ndryshojë mënyrën se si udhëtojnë njerëzit, duke ulur ndotjen dhe varësinë e Amerikës ndaj importit të karburanteve.

Përfaqësuesit e firmës General Motors thonë se në botë ka vetëm dy makina si kjo, e madje njëri prej projektuesve thotë me humor se për të paktën 5 milion dollarë mund të blesh njërën prej tyre. Chevy Volt është një makinë e konceptuar me një teknologji që janë në zhvillim e sipër. Bob Boniface është njëri prej konstruktorëve kryesorë të makinës.

“Kjo prizë që shihni këtu, është zemra e makinës. Kjo makinë lëviz kryesisht me energji elektrike. Ka një motor që punon me elektricitet si dhe një bateri të madhe litiumi në qendër të saj. Mjafton të fusësh spinën në prizën standart 110 volt, dhe je gati për të udhëtuar me 70 kilometra në orë pa përdorur fare benzinë”.

Po të shohësh më me kujdes, do të gjesh në të një motor shumë të vogël që punon me benzinë, por që në dallim nga makinat hibride, këtu nuk përdoret për motorin. Kjo sasi karburanti ngarkon baterinë.

“Nuk ka rëndësi se çfarë motori ka makina. Mjafton që ky motor të prodhojë energji. Mund të jetë një sasi e vogël benzine, mund të jetë bio-naftë, nuk ka rëndësi. Një makinë hibride ka patjetër serbator kurse kjo makinë nuk ka”.

General Motors shpreson që Chevy Volt të hidhet në treg në vitin 2010. Ashtu si shumica e makinave elektrike problemi mbetet tek bateria. General Motors mendon se nuk është gati për ta hedhur që tani në treg makinën.

“Ne nuk mund të blejmë një bateri e ta vendosim në makinë. Kjo kërkon prova inxhinjerike që të jemi të sigurt se çdo gjë funksionon në rregull. Ne e dimë se si ndërtohet një makinë, ne thjesht duam të jemi të sigurt që bateria u përshtatet të gjitha parametrave ”.

Sipas shifrave të Departamentit amerikan të Transportit, 78 për qind e njerëzve me makinë, udhëtojnë me shpejtësi deri në 70 kilometra në orë për të shkuar në punë. Përfaqësuesit e firmës General Motors shtojnë se me makinën Chevy Volt, njerëzit do të shkojnë në punë pa përdorur fare benzinë dhe pa ndotje. //iç

XS
SM
MD
LG