Lidhje

Ndihma ushtarake amerikane për Egjiptin dhe Izraelin


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs njoftoi një marrëveshje ndihmash ushtarake prej 13 miliardë dollarësh me Egjiptin dhe një paketë ushtarake prej 30 miliardë dollarësh për Izraelin.

Sekretarja Rajs e bëri këtë njoftim në Uashington para se të niset sot bashkë me Sekretarin e Mbrojtjes Robert Gejts për në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të siguruar mbështetje për përpjekjet drejt stabilizimit të Irakut.

Zonja Rajs tha se marrëveshje për ndihma ushtarake me Egjiptin dhe Izraelin do të jenë për një periudhë 10 vjeçare. Ajo tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po hartojnë marrëveshje të reja ndihmash me Arabinë Saudite dhe vende të tjera të Gjirit Persik.

Sekretarja amerikane e Shtetit tha se Uashingtoni po përpiqet të mbështesë forcat e moderuara për t’iu kundërpërgjigjur ndikimeve negative të Iranit, Sirisë, al-Kaidës dhe grupit Hezbollah të Libanit.

Dy sekretarët e administratës amerikane, Rajs dhe Gejts, do të vizitojnë qytetin Xhedah, në Arabinë Saudite dhe pastaj do të shkojnë në Sharm El-Sheik në Egjipt, për t’u takuar me zyrtarë të lartë.

Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmai Kalilzad, tha të djelën se udhëheqësit sauditë nuk po bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbështetur politikën amerikane në Irak.

Sekretarja Rajs do të shkojë vetëm në Jeruzalem dhe në Ramallah, për bisedime me zyrtarët izraelitë dhe palestinezë, ndërsa Sekretari Gejts pritet të zhvillojë bisedime në vende të tjera të Gjirit Persik.

Në zhvillime të tjera, Irani dënoi vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’i shitur Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera aleate arabe një paketë armësh të sofisitikuara me vlerën e 20 miliardë dollarëve. Zyrtarët amerikanë thonë se paketa e armëve synon t’i përgjigjet kërcënimit në rritje të Iranit, por një zëdhënës iranian e akuzoi Uashingtonin për përhapjen e ndjenjës së frikës në rajon. //iç

XS
SM
MD
LG