Lidhje

Probleme të rindërtimit në Irak


Auditorë të qeverisë amerikane thanë se qeveria irakiane nuk mund ose nuk do të marrë në kontroll shumë objekte të ngritura nga fonde amerikane të rindërtimit megjithë planet për t’u dorëzuar atyre ndërtesa të ndërtuara nga amerikanët. Inspektori i përgjithshëm për Irakun i tha komisionit të buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve se disa ndërtesa po shemben ndërsa të tjera janë menaxhuar keq duke rezultuar në mospërdorimin e miliarda dollarëve të hedhura në infrastrukturë.

Shtetet e Bashkuara harxhuan dhjetra milionë dollarë për të rindërtuar Centralin Energjitik Dora në një lagje në jug të Bagdatit. Nëse ai do të funksiononte, do të shtonte furnizimin me energji në Irak me më shumë se shtatë përqind. Inspektori i Përgjithshëm për Rindërtimin në Irak Stuart Bowen. "Në fakt centrali nuk ka punuar për pjesën më të madhe të vitit. 90 milionë dollarë u investuan për të vënë në funksionim dy njësi – vetëm një prej tyre mundi të fillojë dhe kjo ndodhi në prill të vitit 2004. Administrimi i objektit iu kalua irakianëve, të cilët e dogjën". Bowen thotë se korpusi i inxhinierëve të ushtrisë amerikane e mori përsëri nën kontroll centralin, rivuri në funksionim një repart të tij dhe i gjithë centrali do të operojë plotësisht deri nga java e ardhshme.

Inxhinierët e ushtrisë kanë në përgjegjësi pjesën më të madhe të 44 miliardë dollarëve të caktuar për rindërtimin e Irakut. Në këtë video të mundësuar prej tyre, makineri të rënda po gërmojnë për të instaluar tubacionet e ujit dhe kanalet e ujërave të zeza. Komandanti thotë se irakianët duhet të trajnohen për mirëmbajtjen dhe se qeveria irakiane duhet të investojë për të mirëmbajtur pajisjet.

Gjeneral lejtnanti Robert Van Antwerp në një intervistë të dhënë para rezultateve të publikuara nga inspektori i përgjithshëm thotë se oficerët e tij tani po përqëndrohen në projektet ekzistuese. "Fokusi i tyre tani është përfundimi i projekteve që kemi nisur dhe dorëzimi i tyre me cilësi të lartë. Këtë duam të bëjmë. T’ua dorëzojmë ato atyre që mund t’i drejtojnë dhe t’i mirëmbajnë". Ushtria publikoi fotografi të një nënstacioni elektrik, një ndërtese të re mjekësore dhe të një impianti për pastrimin e ujrave të zeza – të gjitha të përfunduara këtë vit. Por asnjë prej tyre nuk ka të ngjarë të jetë në duart e qeverisë irakiane, sipas vlerësimit të inspektorit të përgjithshëm i cili raportoi se vetëm një pjesë e vogël e 2 mijë e 700 projekteve amerikane të ndërtimit u janë kaluar nën kontroll irakianëve. "Nga prilli në qershor të vitit të kaluar, qindra projekte me vlerë prej dhjetra miliona dollarësh u transferuan. Në korrik ministria irakiane e financave e braktisi programin". Bowen i tha Kongresit se rolit amerikan për rindërtimin e Irakut po i vjen fundi dhe se është në duart e qeverisë irakiane të përfundojë këtë fazë.

Megjithatë ai njoftoi se ministritë e qeverisë irakiane nuk mundën të harxhojnë pjesë më të madhe të fondeve për ndërtim vitin e kaluar. Ai tha se ministria e naftës është më problematikja. Ajo harxhoi vetëm dy përqind të buxhetit të saj për të përmirësuar prodhimin e naftës megjithëse qeveria irakiane varet shumë tek të ardhurat nga nafta. "Ata kanë shumë burime të pashfrytëzuara në rezervat e naftës dhe gazit dhe nëse ky sektor shfrytëzohet maksimalisht ka potencial të madh për përparim". Inspektori i Përgjithshëm tha se ministria e naftës po ndërton më shumë këtë vit dhe mund të jetë në gjendje të shpenzojë gjysmën e fondeve të saj. Bowen tha se ambasadori amerikan po punon për një marrëveshje me qeverinë irakiane për të marrë nën kontroll projektet e përfunduara nga Shtetet e Bashkuara. //rd//

XS
SM
MD
LG