Lidhje

Sytë nga energjia diellore


Në përpjekjet për të gjetur mënyra të reja për prodhimin e energjisë, duke shmangur shfrytëzimin e lëndës djegëse, është shtuar interesimi në energjinë diellore. Laboratori Kombëtar Sandia në Nju Meksiko është një ndër qendrat shkencore të angazhuara në këto eksperimente.

Shumica e njerëzve, kur flitet për energjinë diellore, përfytyrojnë panele diellore për ngrohjen e ujit apo njësi që thithin energjinë e dritës për të ushqyer me energji një banesë. Por në Laboratorin Sandia, studiuesit po shqyrtojnë mundësinë e projekteve të mëdhaja që do të zëvendësonin centralet me qymyrguri apo gaz që sot përdoren për prodhimin e elektricitetit.

Një nga teknologjitë kryesore është motori parabolik diellor që shfrytëzon rrezet e diellit për të nxehur një gaz. Kjo aparaturë u shpik rreth 200 vjet më parë nga shpikësi skocez Robert Stirling. Kompania Stirling Energy Systems ka shpikur motorin parabolik në bashkëpunim me studiuesit e Laboratorit Sandia. Presidenti i kompanisë Bruce Osborn shpjegon se si funksionon ai: "Kur nxehet gazi, ai bymehet dhe shtyn pistonin duke vënë në funksion gjeneratorin dhe kur ftohet tkurret. Pra motori Stirling është i thjeshtë, elegant dhe një sistem efikas për ta shndërruar energjinë termike në energji elektrike".

Nxehtësia që vë në funksionim motorrin përftohet nga disa pasqyra që e përqëndrojnë energjinë e diellit në një pikë. I gjithë sistemi i pasqyrave kontrollohet nga kompiutera që ndjekin pozicionin e diellit gjatë ditës.

Zoti Osborn shpreson se kjo teknologji do të ulë në të ardhmen shfrytëzimin e lëndës djegëse si qymyrguri, i cili aktualisht përdoret për prodhimin e afro 50 për qind të elektricitetit në Shtetet e Bashkuara. "Me shtimin e sasisë së energjisë që shfrytëzojmë këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën, energjia diellore do të përfaqësojë një përqindje më të madhe të burimit të kësaj energjie". Kompania e zotit Osborn ka dy centrale që veprojnë në pjesën jug-perëndimore të Shteteve të Bashkuara, për të prodhuar elektricitet duke shfrytëzuar energjinë diellore. "Këto janë dy projekte masive, që prodhojnë afro 4 miliardë orë energji elektrike dhe eleminojnë shkarkimin e mbi 4 milionë tonëve të gazeve ndotëse". Një tjetër teknologji diellore premtuese shfrytëzon një pasqyrë të madhe në formë të lugët, për ta përqëndruar energjinë diellore mbi një tub, duke nxehur lëndën e lëngshme në tub.

Shkencëtarët kanë zbuluar se pozicionimi i kujdesshëm i pasqyrave rrit efikasitetin e impiantit duke dërguar më shumë nxehtësi në tub. Përmirësimi i efikasitetit të impianteve diellore i ka bërë ato më të leverdisshme se burimet energjetike tradicionale. Megjithatë, motori Stirling mbetet më efikas se komplekset me pasqyra të lugëta. Por Tim Moss, menazheri i këtij projekti, thekson se këto komplekse kanë avantazhe: "Meqë përdorim lëndë të lëngshme në tub, ne mund të ruajmë nxehtësinë që fiton kjo materie edhe gjatë natës, kur nuk ka diell, pra mund të prodhojmë elektricitet edhe gjatë natës". Shumë nga këto teknologji të reja janë futur në prodhim në pjesë të ndryshme të botës dhe shkencëtarët shpresojnë se me përmirësimin e tyre do të rritet edhe roli i energjisë diellore në prodhimin e energjisë së pastër në të ardhmen. //rd//

XS
SM
MD
LG