Lidhje

Kuba pas tërheqjes së Fidel Kastros nga udhëheqja


Një vit më parë, një sëmundje e detyroi udhëheqësin e Kubës, Fidel Castro, t’ia dorëzonte përkohësisht pushtetin vëllait të tij, Raul. Zyrtarët kubanë nuk kanë bërë komente për të ardhmen e Kastros, por nuk duket se ai do të mund të rikthehet në pushtet. Por megjithëse udhëheqësi ka ndryshuar, shumë politika të Kubës kanë mbetur të njëjta.

Kundërshtarët e Fidel Kastros presin prej dekadash ndryshime në këtë vend komunist. Kur Kastro iu nënshtrua një operacioni të zorrëve vitin e kaluar, kritikët thanë se ishte një mundësi për udhëheqësin e ri të fillonte të ndryshonte politikat e ashpra në Kubë dhe të hapte dyert e reformave. Andy Gomez, zv.rektor në Universitetin e Miamit, thotë se zyrtarët kubanë kanë bërë përpjekjet maksimale që të mos ketë ndryshime: “Ka pasur një stabilitet, ka një nivel të lartë sigurie dhe ekonomia ka vazhduar të zhvillohet. Kështu, ato pak institucione në Kubë, ushtria, patia komuniste vazhdojnë të funksionojë". Nga ky realitet janë zhgënjyer të gjithë ata që mirëprisnin ndryshimë të mëdha në Kubë pa Kastron si president.

Disa analistë menduan se qeveria do të ndryshonte kufizimet ekonomike dhe politike dhe të tjerë parashikuan trazira sociale. Në një fjalim javën e kaluar, Presidenti i përkohshëm, Raul Castro, ironizoi Shtetet e Bashkuara për këto parashikime. "Kemi kaluar muaj të vështirë, por rezultatet kanë qenë krejt të ndryshme nga ato që parashikonin armiqtë tanë. Armiku priste dhe ëndërronte që ne të na përfshinte kaosi dhe socializmi kuban të dështonte".

Një arsye që qeveria kubaneze nuk ka pasur probleme është se Fidel Kastro vazhdon të ushtrojë influencën e tij tek i vëllai dhe në sektorë të tjerë të qeverisë.

Ekspertët thonë se është e pamundur të parashikohet sa mund të zgjasë kjo, ndërkohë që ai ende nuk i ka kapërcyer problemet shëndetësore. Për aktivistë, si Ramon Raul Sanchez i Lëvizjes për Demokraci me seli në Miami, gjendja në Kubë është zhgënjyese. "Nuk ka treguar ndonjë shenjë për reforma ose dëshirë për të hapur një dialog kombëtar rreth problemeve të vendit. Në fakt persekutimi i kundërshtarëve është rënduar". Sanchez thotë se ndërsa qeveria e Kubës qëndron në fuqi, ai ka parë ndryshime në retorikën e Shteteve të Bashkuara ndaj ishullit.

Javën e kaluar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit kundërshtoi një kërkesë nga Raul Kastro për një dialog të mundshëm midis dy vendeve, dhe tha se Kuba, së pari duhet të hapë dialog me popullin e vet. Sanches thotë se ky qëndrim është një shtytje për përpjekje demokratike në ishull. "Dëgjuam se Shtetet e Bashkuara i thanë Kastros “Jo, Së pari duhet të hapni dialog me popullin dhe jo me Uashingtonin,”. Kjo shënon fillimin e një epoke të re të respektit të ndërsjelltë mes dy popujve tanë", thotë Sanches.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara thanë se marrëdhëniet diplomatike me ishullin do të rivendosen vetëm pasi të plotësohen kushtet si zhvillimi i zgjedhjeve të lira. Andy Gomez i Universitetit të Miamit tha se një votim i tillë është i nevojshëm, pavarësisht nga rezultatet. “Populli i Kubës ka të drejtën të zgjedhë ata që dëshëron. Ne duhet të respektojnë zgjedhjen e tyre, sepse mund të mos jetë ajo që shumë nga ne dëshërojmë”. Kuba do të zhvillojë zgjedhje të reja një partiake në tetor. Kritikët thonë se votimet e fundit kanë qenë të pavefshme pasi nuk sjellin ndonjë sfidë për vëllezërit Kastro ose qëndrimit të qeverisë. //rd//

XS
SM
MD
LG