Lidhje

SHBA: Në misionin e ri të NASA-s merr pjesë edhe një mësuese


Inxhinierët e agjencisë amerikane të hapësirës NASA, po riparojnë një defekt që u zbulua këtë javë në anijen e hapësirës Endeavour. Zyrtarët thonë se problemi nuk do të bëhet shkak që të shtyhet lëshimi i anijes për në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, i parashikuar për më 7 gusht. Në këtë mision historik merr pjesë edhe një mësuese, e para herë kjo që nga katastrofa e anijes Challenger, para 21 vjetësh.

55 vjeçarja Barbara Morgan është e duruar. Në vitin 1985, kjo mësuese ishte zgjedhur si ndihmëse e astronautes mësuese Christa McAuliffe, që më pas vdiq me gjashtë të tjerë në shpërthimin e anijes Challenger. Morgan kujton kur u zgjodh.

“Ne ishim të gjithë plot entuziazëm për atë që po bënim dhe Christa ishte dhe do të jetë gjithnjë mësuesja jonë në hapësirë dhe mësuesja e parë që shkonte në hapësirë”.

Pas aksidentit, planet për të dërguar një mësues në hapësirë u lanë mënjanë. Morgan vazhdoi normalisht jetën e saj, duke rritur dy djemtë e saj dhe duke dhënë mësim. Në vitin 1998 ajo u fut në NASA si astronaute.

Ajo ishte parashikuar të fluturonte në misionin e anijes së hapësirës në vitin 2004. Ky plan dështoi, pasi program i anijeve u riorganizua pas aksidentit të Columbias në vitin 2003.

Të martën, astronautja Morgan do të bëjë një provë tjetër, si anëtare e personelit të anijes Endeavour që do të kryejë fluturimin e 22-të të NASA-s për në stacionin ndërkombëtar të hapësirës.

“Unë do të jem një nga operatorët e krahut robotik, kështuqë do të përdor krahun e anijes dhe atë të stacionit të hapësirës për të lëvizur disa nga paisjet ndërsa i vendosim në stacion dhe do të ndihmoj në bord kur të kthehemi, ose gjatë hyrjes së anijes së hapësirës në atmosferën e tokës, duke dhënë kontribut që gjithçka të shkojë mirë gjatë kthimit”.

Komandanti i marinës amerikane, Scott Kelly drejton ekuipazhin prej shtatë vetash që po stërvitet prej disa muajsh. Charles Hobaugh është pilot i anijes Endeavor, ndërsa për astronautët Rich Mastracchio dhe Dr. Dave Williams të agjencisë kanadeze të hapësirës këto janë misionet e dyta respektivisht. Astronautët Alvin Drew, Tracy Galdwell dhe Barbara Morgan shkojnë për herë të parë në hapësirë.

“Rreziqet janë njëlloj si për një mësues, një mjek, inxhinier, pilot apo kimist dhe për këdo tjetër që fluturon në hapësirë. Ne po e kryejmë këtë mision për të mësuar, për të eksploruar, për të zbuluar. Po e bëjmë që të ndihmojmë që t’i mbajmë dyert e hapura për të rinjtë”.

Ashtu si të gjitha misionet e hapësirës, STS-118 i shërben të ardhmes, duke e afruar stacionin e hapësirës edhe më afër plotësimit dhe mbledhjes së përvojës që do të ndihmojë njerëzimin që të shkojë përsëri në hënë, Mars dhe mbase edhe më larg. //kk//

XS
SM
MD
LG