Lidhje

Presidenti Bush viziton vendin ku u shemb ura në Mineapolis


Presidenti Bush tha se ishte impresionuar nga vendosmëria dhe dhembshuria e treguar nga ekipet e shpëtimit në Mineapolis, të cilët po punojnë në lumin Misisipi për shpëtimin e viktimave të shëmbjes së urës.

Presidenti vizitoi sot vendin e ngjarjes dhe premtoi se ura e cila lidh qytetet binjake Mineapolis dhe St.Paul do të rindërtohet nën mbikqyrjen e sekretares së transportit Mary Peters. Ai tha gjithashtu se nuk mund të premtonte se sa do të zgjaste rindërtimi.

Ura ishte e mbushur me makina në kulmin e trafikut kur u shemb mbi lumin Misisipi të mërkurën. Pesë persona mbetën të vrarë. Rreth 100 të tjerë u plagosën dhe disa të tjerëve nuk u dihet fati.

Ura me 8 korsi ishte ndërtuar në vitin 1967. Inspektorët i kishin paralajmëruar zyrtarët e transportit të Minesotës që në vitin 1990 që ura kishte probleme me strukturën, pra që kishte nevojë për riparime të mëdha ose zëvendësim.

I njëjti paralajmërim erdhi pas inspektimit federal në vitin 2000, por inxhinerët e shtetit thanë se zëvendësimi i urës nuk ishte planifikuar të bëhej para vitit 2020.

Nga një inspektim vitin e kaluar u zbuluan defekte të shumta me urën, por zyrtarët e transportit preferuan të bënin inspektime të shumta, në vend të riparimeve të nevojshme.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit ka dërguar një ekip për të hetuar mbi shkaqet e shembjes. Guvernatori i Minesotës, thotë se edhe shteti vetë do të kryejë një hetim. Ja ç’thotë kryetari i bordit, Mark Rosenker.

“Do të kontrollojmë trarët mbajtës, po ashtu edhe materialet, çimenton. Do të hetojmë planet, dokumentat për mirëmbajtjen dhe ato të inspektorëve”.

Në urën me tetë korsi kalonin 141 mijë automjete në ditë. Ajo u shemb në një moment në kulmin e trafikut, kur po i nënshtrohej riparimeve.

Mbi 70 mijë ura në Shtetet e Bashkuara ose 12 për qind e tyre janë përcaktuar si me të meta strukturore. Në një studim të vitit 2005 të Trupës së Inxhinierëve të Ushtrisë thuhet se qeverisë amerikane do t’i kushtojë 188 miliardë dollarë gjatë 20 viteve të ardhshme për t’i riparuar ato. Udhëheqësit e Kongresit thotë se katastrofa e Minesotës duhet të shërbejë si paralajmërim.

“Në gjithë vendin kemi infrastrukturë të vjetër që po prishet: autostrada, ura, diga dhe duhet që të merremi seriozisht me këtë”, tha kreu i shumicës demokrate në senat.

Zonja e Parë Laura Bush shkoi dje në vendin e ngjarjes. Zyrtarët fedaralë të transportit kanë akorduar një shumë fillestare prej 5 milionë dollarësh për shtetin e Minesotës për spastrim dhe rehabilitim. //kk//

XS
SM
MD
LG