Lidhje

Shqetësime për të ardhmen e një traktati mes Uashingtonit, Moskës


Rusia e ka pezulluar pjesmarrjen e saj në Traktatin për Forcat Konvencionale në Europë, madje ka kërcënuar se do të tërhiqet nga Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme. Një traktat tjetër për kontrollin e armëve mes Uashingtonit dhe Moskës është ai për Pakësimin dhe Kufizimin e Armëve Ofensive Strategjike, të quajtur zakonisht START 1.

Traktati START I u negociua në vitet 80, u nënshkrua në vitin 1991 nga Presidenti George Herbert Walker Bush dhe nga Presidenti sovjetik, Mikhail Gorbachev dhe hyri në fuqi më 1994.

Ky ishte traktati i parë që parashikonte eliminimin e sistemeve të armëve bërthamore amerikane dhe ruse. Ai vendoste kufizimin që secila palë të kishte nga 6 mijë mbushje bërthamore strategjike ose me rreze të gjatë veprimi. Traktati kufizonte gjithashtu numrin e sistemeve strategjike të hedhjes së këtyre armëve, si avionët bombardues, raketat me bazë në tokë ose në nëndetëse, nga 1600 për secilën palë.

Daryl Kimball, Kryetar i Shoqatës për Kontrollin e Armëve, një firmë studimore private, thotë se Traktati START 1 ishte me rëndësi në një aspekt tjetër.

"Ai krijoi diçka që vazhdon të jetë jashtëzakonisht me vlerë edhe sot sepse vendosi sistemin më të gjerë dhe më të hollësishëm të verifikimit dhe monitorimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë përsa i përket kontrollit të armëve. Edhe sot e kësaj dite, dy palët lejojnë ekipet e inspektorëve të palës tjetër të vizitojnë bazat e raketave. Ata shkëmbejnë informacione rreth arsenalit të tyre të raketave. Kjo siguron një shkallë shumë të lartë besimi se pala tjetër i ka përmbushur dhe do t’i përmbushë detyrimet që ka në bazë të Traktatit. Kjo na jep një ide të saktë për arsenalin bërthamor të secilit vend, i cili e ka kaluar mjaft kufirin e 6 mijë mbushjeve bërthamore."

Uashingtoni dhe Moska u janë përmbajtur dispozitave të Traktatit START 1.

Michael Levi, ekspert për kontrollin e armëve në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se në vitin 2002, dy palët nënshkruan një marrëveshje të re – Traktatin e Moskës, i cili kërkon shkurtime akoma më të thella në arsenalet e tyre bërthamore strategjike.

"Traktati i Moskës është shumë më i thjeshtë se sa Traktati START 1. Ai parashikon kufizime deri në 2 mijë armë por nuk përfshin të njëjtat masa verifikimi dhe inspektimi siç ka Traktati START 1. Por në përgjithësi, përsa i përket shifrave, Traktati i Moskës ua kalon mjaft atyre në Traktatin Start 1."

Traktatit START 1 i mbaron afati në dhjetor 2009, nëse Uashingtoni dhe Moska nuk bien dakord ta zgjasin atë.

Në një deklaratë të përbashkët në qershor të këtij viti, Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice dhe ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov thanë se dy palët do të vazhdojnë bisedimet për një marrëveshje të re pas skadimit të Traktatit START.

Ndërkohë që zyrtarët amerikanë dhe rusë diskutojnë për fatin e Traktatit START 1, Moska vazhdon të modernizojë arsenalin e saj të raketave me rreze të gjatë veprimi.

Daryl Kimball, thotë se rusët e kryen provën e fundit me raketë në fund të muajit maj.

"Rusia vazhdon të kryejë me një farë rregullsie prova të një rakete të re balistike të quajtur Topol-M. Prova e fundit, me sa kuptojmë, ishte e një varianti të kësaj rakete. Rusia është në procesin e instalimit të kësaj rakete të re e cila mund të mbajë një numër mbushjesh bërthamore. Gjithashtu, rusët po heqin gradualisht nga përdorimi raketat balistike ndërkontinentale SS-18 që tashmë janë vjetëruar."

Michael Levi i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë thotë se prova të tilla janë normale.

"Testimi i raketave balistike është diçka krejt rutinë. Nëse e bazon mbrojtjen e vendit te raketat, atëhere nuk ke se si nuk bën prova me to. Gjithashtu, në Traktatin START 1 nuk ka asnjë klauzolë që të ndalojë testimin e raketave dhe as nuk ka pse të ketë."

Shumë ekspertë nuk besojnë se presidentët Bush dhe Putin do të jenë në gjendje të arrijnë marrëveshje për zgjatjen e Traktatit START 1. Por ata theksojnë se nëse Bush dhe Putin nuk arrijnë marrëveshje, atëhere kjo barrë do t’u bjerë udhëheqësve të rinj që do të vijnë në të dy vendet sepse deri në vitin 2009 kur të skadojë Traktati START 1, presidentët e tanishëm nuk do të jenë më në këto poste.//kk//

XS
SM
MD
LG