Lidhje

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri më i korruptuari


Në Shqipëri sistemi i drejtësisë vazhdon të shihet si më i korruptuari dhe për këtë nevojitet ndryshimi i tij rrënjësor dhe një pavarësi më e madhe nga politika. Ky është përfundimi i një tjetër sondazhi të bërë publik mbrëmë në Tiranë. Ai është kryer nga Qendra për Çështje të Informimit Publik dhe është organizuar në katër qytete të mëdha me mbi 1500 të intervistuar, duke patur në fokus pushtetin gjyqësor.

Duket se tashmë sistemi i drejtësisë në Shqipëri dhe fenomeni i korrupsionit janë bërë një binom i pandashëm në thuajse të gjithë përfundimet e vrojtimeve, studimeve apo sondazheve që kryhen. Dhe ky është një perceptim i përhapur gjerësisht ashtu si dhe, për pasojë, mungesa e theksuar e besimit te ky sistem.

Një sondazh i kryer muajin e shkuar nga qendra për Çështje të Informimit Publik mbi Pushtetin Gjyqësor ka rikonfirmuar imazhin negativ që gëzojnë strukturat e drejtësisë në opinion e qytetarëve, Mbi 90 përqind e mbi 1500 të intervistuarve besojnë se sistemi i drejtësisë është shumë i korruptuar.

Më shumë se gjysma mendojnë se për këtë përgjegjës janë vetë aktorët e këtij sistemi ndërsa 32 përqind bëjnë faktore politiken. Sipas sondazhit 63% e qytetarëve ndihen të prekur direkt nga problematikat që lidhen me funksionimin e sistemit të drejtësisë, ndërsa 79% konstatojnë se përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor nuk kanë profil publik dhe/ose janë të paaftë për të pasur impakt në publik.

Duket se është ky perceptim që i shtyn shqiptarët të mendojnë thuajse në unison, 97 përqind e të intervistuarve, se sistemi i drejtësisë ka nevojë për një reformë rrënjësore. Por një pjesë shumë e madhe nuk kanë besim se këtë mund ta bëjnë reformat e propozuara nga qeveria, gjë e cila duket se tregon edhe mosbesimin në klasën politike, aq sa sërish 97 përqind e të intervistuarve janë të mendimit se ky sistem mund të reformohet vetëm nga ata individë të cilat kanë një figurë të pastër morale dhe nuk janë të përfshirë në korrupsion brenda dhe jashtë sistemit gjyqësor.

Sipas sondazhit, një pjesë dërrmuese e qytetarëve pohojnë se presidenti i Republikës ka një rol kryesor në funksionimin e sisitemit të drejtësisë, një opinion i cili duke patur parasysh dhe kohën kur është zhvilluar, mund të jetë ndikuar nga debatet për presidentin e Republikës të cilat u lidhën ngushtë dhe me ndërhyrjet që kreu i shtetit duhet të realizojë në Drejtësi.

Në fakt e gjithë klasa politike këtë periudhë është shprehur për nevojën e një reforme që duhet të nisë në shtator e të përfshijë të gjithë sistemin. Ky debat u ushqye edhe nga rihapja e cështjes së prokurorit të Përgjithshëm. Çështje e cila u bë shkas për prishjen e konsensusit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit e që më pas ka qenë në qendr edhe të takimeve që Presidenti Bamir Topi ka realizuar këto ditë thuajse me të gjithë drejtuesit e partive politike parlamentare.

Çështja e prokurorit të përgjithshëm ka qenë edhe një nga pikat e sondazhit e ku 63 përqind mendojnë se ai duhet te largohet pavarësisht nga shkaqet ndërkohë që 22 përqind mendojnë se nuk është në lartësinë e detyrës dhe vetëm 15 përqind janë të mendimikt se ai është bërë viktime e skemave politike dhe nuk duhet të largohet. //iç

XS
SM
MD
LG