Lidhje

Arrestohet një përkthyes i OKB-së për fallsifikim vizash


Një përkthyes i Kombeve të Bashkuara u arrestua dje nën akuzat se, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kishte përdorur kancelarinë e OKB-së për një skemë për fallsifikim vizash. Sipas prokurorëve amerikanë, ai dhe dy personat e tjerë të akuzuar në këtë çështje, kanë ndihmuar rreth 14 vetë të futeshin në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët e organizatës botërore thonë se po bashkëpunojnë me autoritetet amerikane në procesin gjyqësor.

Vjaçesllav Manokhin, punonjës i OKB-së pranë selisë së organizatës në Manhatan të Nju Jorkut, u akuzua se kishte ndihmuar disa shtetas të huaj të futeshin në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme duke i pajisur me dokumenta të fallsifikuara, që i ndihmonin për të marrë viza për pjesëmarrje në konferenca që ose nuk ekzistonin ose ku shtetasit e huaj nuk ishin ftuar për të marrë pjesë.

Zëdhënësi i OKB-së Farhan Haq tha se organizata po bashkëpunon me autoritetet amerikane për këtë çështje.

"Më 27 korrik informuam Prokurorët amerikanë se Sekretari i Përgjithshëm i kishte hequr Vjaçesllav Manokhinit imunitetin diplomatik në përputhje me traktatet përkatëse ligjore. Zyra e Mbikqyrjes së Brendshme përmes Zyrës për Çështje ligjore kanë bashkëpunuar me autoritetet amerikane lidhur me procesin, në bazë të kërkesave të tyre, duke ofruar të gjithë informacionin e nevojshëm".

45-vjeçari Manokhin, shtetas rus me banim në Konektikat të Shteteve të Bashkuara, doli dje para një gjykate, së bashku me të akuzuarin tjetër, Vladimir Derevianko.

Manokhin u akuzua për komplot për të kryer fallsifikime të dokumentave të imigracionit, akuzë që mbart dënimin makimal me 5 vjet burgim.

Sipas dokumentave të gjykatës, Manokhin shfrytëzoi punësimin në OKB dhe në bashkëpunim me 2 persona të tjerë ka lejuar 14 vetë të futen në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet thonë se ai i kishte pajisur personat me letra me stampën e OKB-së, të nënshkruara nga zyrtari i OKB-së Leonardo Bracket, që në fakt ishte një person i sajuar. //ze//

XS
SM
MD
LG