Lidhje

Kimikate të rrezikshme; Kanceri i gjirit; Stimulimi kirurgjik i trurit


Kimikate të rrezikshme

Një grup shkencëtarësh po shprehin shqetësim rreth përdorimit të një kimikati për prodhimin e shisheve plastike të tejdukshme. Këto ditë, instituti Kombëtar i Shëndetit filloi mbledhjen e të dhënave rreth kimikatit Bisphenol A, pas ankesave se ky kimikat paraqet rrezik për shëndetin, veçanërisht tek fëmijët. Megjithëse prodhuesit e tij thonë se në nivele tepër të ulta Bisphenol-A nuk është i dëmshëm.

Si shumë nëna të reja, Kimberly Lisak tregohet tepër e kujdesëshme rreth ushqimeve që ha fëmija e saj. Ajo thotë se ushqimet e gatëshme të paketuara për foshnjet përmbajnë shumë kimikate që ajo nuk e di se ç’janë. Por deri më sot ajo nuk kishte menduar shumë rreth kimikateve në shishen me ushqimin e fëmijës së vet.

Një raport i botuar para një javë në një revistë shkencore, paralajmëron se kimikati Bisphenol A që përdoret për prodhimin e enëve dhe shisheve plastike është i rrezikshëm.

Rreth 2 milionë ton prodhimesh të tilla hidhen në treg çdo vit, thotë doktor Frederik Vom Sal. Bisfenoli gjendet në shishet plastike si dhe në veshjen e brendëshme të kutive metalike që përdoren për ushqime të konservuara. Qëndra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve arriti në përfundimin se Bisphenoli A gjendet në urinë tek 95 përqind të personave që u përfshinë në studim. Një dozë e vogël e këtij kimikati kalon edhe në fetus dhe tek foshnjet të cilët kur rriten ka më shumë gjasa të preket nga kanceri i prostatës, dhe kanceri i gjiri. Shoqata amerikane e kimistëve thotë se Biphenoli A në nivele jashtëzakonisht të ulta nuk është i rrezikshëm ndaj shëndetit të njeriut.

Ndërsa shqetësimet rreth këtij kimikati po shtohen, tani janë hapur edhe dyqane të tilla që shesin prodhime organike pa përdorur shishe plastike me përmbajtje Biphenoli-A.

Kanceri i gjirit; afrikano-amerikanet preken më rrallë

Sipas të dhënave, kanceri i gjirit është sëmundja e 5 kanceroze me vdekjeprurëse. Kjo sëmundje prek gratë e në raste të rralla edhe burrat. Por një gjë që i shqetëson shkencëtarët sot këtu në Amerikë është se cilat janë arsyet që gratë afrikano amerikane megjithëse preken më rrallë nga ky lloj kanceri, numri i vdekjeve në radhët e tyre është më i lartë në krahasim me gratë e racës së bardhë po me kancer në gji.

Këto prognoza negative, ekspertët i shpjegojnë me faktorët ekonomiko shoqëror siç janë kostoja e trajtimit dhe një pamundësi për kujdes mjekësor që mund të sjellin një vonesë në diagnostikimin e kancerit të gjirit.

Por shkencëtarët gjithashtu kanë gjetur edhe disa dallime biologjike. Gjatë një studimi, mjekët vunë re se 21% e grave afrikano amerikane të prekura nga kanceri i gjirit kishin një tumor më të acaruar në krahasim me gratë e racës së bardhë që e kishin këtë acarim vetëm 10%.

Doktoresha Gloria Morris pranë qëndrës mjekësore Xheferson thotë se kanceri i gjirit është më i vështirë për t’u trajtuar, kimoterapia nuk është edhe aq e suksesshme, por edhe pas trajtimit me sukses ky lloj kanceri ka gjasa të shfaqet përsëri.

Shkencëtarët thonë se numri i grave afrikano amerikane që marrin pjesë në studim është më i vogël sesa ai i grave të racës së bardhë.

Mjekja Ramona Swab pranë qëndrës mjekësore Fox Chase thotë se zakonisht, më pak se 10% e njerëzve që regjistrohen për prova klinike janë afrikano amerikanë. Qëndrat mjekësore vazhdimisht nxisin gratë afrikano amerikane që të përfshihen në studime të tilla dhe të bëjnë analizat për t’i dhënë mundësi zbulimit të kancerit të gjirit që në fazat fillestare.

Kirurgjia ndihmon në stimulimi i thellë i trurit

Stimulimi i thellë i trurit ka kohë që përdoret me sukses tek pacientët në fazën e rëndë të sëmundjes Parkinson dhe çrregullime të tjera neurologjike.

Por këto ditë, mjekët në klinikën e Klevelandit në shtetin Ohajo thonë se kanë kryer një procedurë eksperimentale kirugjike të Stimulimit të thellë në tru tek një pacient që kishte pësuar një traumë të rëndë në tru dhe kishte muaj që ndodhej pa asnjë reagim. Kirurgu Ali Rizai pranë klinikës së Klevelandit vendosi në trurin e pacientit një pejsmejkër. Pajisja u vendos në Thalamus, një zonë në thellësi të trurit. Dy ditë pas kësaj procedure, aparati u vu në funksionim dhe filloi të përhapë sinjale në thellësi të trurit duke e stimuluar atë. Doktor Riza thotë se gjuha e trurit është elektriciteti, prandaj duke përdorur sinjale elektrike truri reagon, pra e kupton gjuhën e vet. Pas disa muajsh, pacienti u bë më mirë dhe rifitoi aftësinë për të ngrënë dhe për të folur. Për familjen e pacientit kjo duket si mrekulli.

Lëndimi traumatik i trurit mund të ndodhë gjatë një aksidenti me makinë, rrëzim ose goditje në kokë. Stimulimi i thellë i trurit nuk është i rekomandueshëm për të gjithë pacientët me dëmtime në tru. Megjithatë, mjekët thoonë se stimulimi i thellë i trurit ofron shpresa për familjet që vazhdojnë të jenë në kërkim të një mënyre për t’u lidhur me të dashurit e tyre, të cilët vuajnë nga traumave të rënda në tru.

XS
SM
MD
LG