Lidhje

Uashingtoni mbështet bisedimet e fundit Prishtinë-Beograd


Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha sot Zërit të Amerikës se takimi i sotëm i treshes SHBA-BE-Rusi me Grupin e Kontaktit kishte si synim diskutimet për lehtësimin e periudhës së angazhimit mes Beogradit dhe Prishtinës në një përpjekje të fundit për të gjetur pika të përbashkëta për statusin e Kosovës.

Trojka do të veprojë nën kujdesin e Grupit të Kontaktit. Zëdhënësi konfirmoi se tre përfaqësuesit e saj, Ambasadori Wisner, i dërguari evropian Ischinger dhe ai rus Botsan-Kharchenko, do të vizitojnë Beogradin dhe Prishtinën nga 10 deri më 12 gusht. Kjo periudhë angazhimi, tha ai është e kufizuar në kohë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit shprehu besimin që plani Ahtisaari duhet të jetë baza për këto negociata të mëtejshme mes palëve. Ai tha se Shtetet e Bashkuara besojnë gjithashtu se parimet udhëzuese të Grupit të Kontaktit mbeten të vlefshme.

Uashingtoni mbështet këtë përpjekje të fundit për të arritur një marrëveshje mes palëve, tha ai. Nëse nuk arrihet marrëveshje, shtoi zëdhënësi, Shtetet e Bashkuara besojnë se plani Ahtisaari është rruga më e mirë përpara.

Të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Bashkimi Evropian hapën sot në Londër bisedimet me synimin për të arritur një marrëveshje për programin mbi negociatat e ardhshme lidhur me statusin e Kosovës.

Negociatat janë planifikuar të zgjasin deri në katër muaj. Vendimi për to u mor pasi Këshilli i Sigurimit tha muajin e kaluar se nuk do të votonte për një projekt-rezolutë që i hapte rrugën pavarësisë së Kosovës, pasi Rusia kishte thënë se do të vendoste veton kundër saj.

Rusia e ka kundërshtuar me forcë planin e OKB-së për pavarësi, që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.//kk//

XS
SM
MD
LG