Lidhje

Qeveria boshnjake dëbon qindra luftëtarë të huaj


Qeveria boshnjake po dëbon qindra luftëtarë të huaj të cilët luftuan së bashku me ushtrinë Myslimane Boshnjake kundër serbëve dhe kroatëve nga viti 1992 – 1995 dhe që fituan shtetësinë në fund të luftës. Judith Latham bisedoi me gazetarë boshnjakë, serbe, e gjermanë në Klubit Ndërkombëtar të Gazetarëve rreth kundërshtive që shoqërojnë fatin e këtyre luftëtarëve dhe të Bosnjës.

Shumica e luftëtarëve të huaj në Bosnje vinin nga vendet myslimane, disa prej tyre ishin veteranë të luftës në Afganistan, ku ata luftuan kundër pushtimit sovjetik. Mbas lufte, disa prej tyre u martuan me gra boshnjake dhe qëndruan me familjet e tyre. Por veç atyre pati edhe nga ata që më pas u lidhën me aktivitetet terroriste në Europë. Gazetari boshnjak Kemal Kurspahic ka qenë redaktor gjatë kohës së luftës në gazetën Oslobodjenja, e vetmja që publikohej në Bosnje gjatë asaj kohe. Ai thotë se perëndimi dhe Kroacia fqinje, e mbyllën njërin sy përpara faktit të mbërritjes së luftëtarëve të huaj në Bosnje, kryesisht sepse Bosnja ishte nën embargon ndërkombëtare te armëve dhe sepse popullata muslimane e saj u përball me genocidin në disa zona.

“Disa prej tyre erdhën në emër të solidaritetit islamik, për të luftuar për një qëllim. Por disa prej tyre janë përgjegjës për disa krime lufte ndër më të tmerrshmit që kanë kryer njësi të Ushtrisë Boshnjake. Kur mbaroi lufta, disa prej tyre morën nënshtetësinë. Ishte gabim që t’iu jepej atyre një leje qëndrimi në grup, pa proçedura të sakta ligjore”.

Kemal Kurspahic thotë se mes luftëtarëve të huaj ishte dhe një grup radikal i cili predikonte format ekstreme të Islamit, të huaja për zakonet boshnjake të tolerancës dhe shumetnitetit. Kështu, thotë ai, qeveria mori në shqyrtim më shumë se 1000 raste ku nënshtetësi iu jepej të huajve, dhe prej tyre më shumë se 400 personave iu anullua ky dokument.

Gazetarja serbe Ljiljana Smajlovic, redaktore e gazetës “Politika” në Beograd, thotë se ka pasur një lidhje direkte mes bombave të vendosura në sistemin e transportit të udhëtarëve në Londër dy vjet më parë dhe luftëtarëve të huaj në Bosnje.

Një tjetër çështje që gazetarët dhe analistë të besimit fetar kanë debatuar në vite ka qenë tendenca dhe pikpamjet fetare të presidentit të parë të Bosnjes, Alija Izetbegoviç, si dhe qëndrimi i tij ndaj Iranit. Liljana Smajlovic.

“Nuk e di se sa i informuar është perëndimi , që Alij Izetbegoviç ka vlerësuar revolucionin e Khomeneit dhe ka shkruar libra që mund të konsiderohen si një argument i pastër në favor të ligjit Islamik dhe të një vendi të udhëhequr nga Sherihati”.

Gjithsesi trashëgimia që zoti Izetbegoviç la mbas vdekjes së tij ishte e përzier. Mathhias Rueb, korrespodent i Frankfurt Allgemeine Zeitung në Washington, thotë se ai mendon që toleranca e kulturave është ende pjesë e Bosnjës së sotme. Megjithatë ai shton se mund të ketë diçka të vërtetë në akuzat që ekziston një lidhje nga Bosnja si me al-Qaidën dhe Iranin.

“Pyetja që shtrohet është a është shumica e luftëtarëve të huaj në Bosnje e prirur për extremizëm apo jo”.

Zoti Rueb ngre idenë se një prej arsyeve që Sarajevo ka vendosur të kthejë disa prej luftëtarëve të huaj është varësia nga ndihmat e perëndimit dhe dëshira për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Liljana Smajloviç thotë se duhen parë mirë arsyet e kthimit të tyre.

"Në njërën anë është problemi i atyre që po humbasin shtetësinë dhe i vendit që kanë zënë në një shoqëri të caktuar prej 30 vjetësh apo më shumë. Nga ana tjetër është e vërtetë që lufta në Bosnje u shfrytëzua nga al-Qaida dhe Bin Laden personalisht si pretekst për të nisur një luftë kundër perëndimit.”

Për shembull , shumë xhami në Bosnje u shkatërruan ose pësuan dëmtime gjatë luftës, dhe me ndihmën e madhe të Arabisë Saudite ato janë rindërtuar, por jo në stilin turk. Sipas Liljana Smajloviçit, Arabia Saudite dhe Irani janë në konkurencë me njëra-tjetrën se cili vend do të ketë ndikim më të madh në formën e islamit që do të mbizotërojë në Bosnjen e pas luftës. //iç

XS
SM
MD
LG