Lidhje

Hashim Thaçi: “Pavarësia është kompromisi i Prishtinës, Kosova nuk pranon një status quo të re”


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaci tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se pavarësia e mbikëqyrur është kompromisi që ka bërë Prishtina dhe ajo është e pa negociueshme. Zoti Thaçi i tha korrespondentit tonë në Prishtinë Besim Abazi, se asnjë opsion tjetër nuk është i mundur dhe se Kosova nuk mund të durojë një "status quo" tjetër pas tetë vjet pritjeje për zgjidhjen e statusit të saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, treshja e Grupit të Kontaktit përfundoi vizitën e parë në rajon duke paralajmëruar hapjen e negociatave në të cilat nuk do të ketë një kufizim të opsioneve për zgjidhjen e statusit të Kosovës. A do të thotë kjo se tash Kosova është një proces krejt të ri negociator?

Hashim Thaçi: Kosova është në fazën finale të nxjerrjes së vendimit ndërkombëtarë për të ardhmen e saj. Ne e kemi prezantuar shumë qartë mendimin tonë, qëndrimin tonë dhe vizionin tonë për të ardhmen e vendit tonë se e vetmja zgjidhje për të ardhmen e Kosovës është respektimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran. Pavarësia e Kosovës nënkupton edhe paqe e stabilitet dhe integrim të rajonit edhe në strukturat e Bashkimit Evropian edhe në NATO, por në të njëjtën kohë pavarësia e Kosovës nënkupton edhe zgjidhjen më të mirë për investimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të Bashkimit Evropian. Kështu që jemi në një moment mund të themi, para final dhe mendoj se këtë proces në si Kosovë do ta kalojmë me përgjegjësi të lartë politike e qytetare, me unitet të qëndrueshëm politikë dhe natyrisht në një partneritet shumë të ngushtë me komunitetin ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Diplomatët thanë se do të pranojnë çdo zgjidhje për të cilën mund të arrijnë marrëveshje të dyja palët. A ka shpresë për një marrëveshje të tillë dhe ku mbështetet optimizmi i tyre. Çfarë shenjash morrin nga Prishtina?

Hashim Thaçi: Optimizmi ndërkombëtarë se Kosova do të kryejë me përgjegjësi obligimet e veta në këtë angazhim shtesë është aty se Prishtina ka treguar vendosmëri në përkushtimet që të ketë partneritet të ngushtë, të kryejë të gjitha ato përgjegjësi që janë të domosdoshme për t’u kryer në këtë proces, mund të them edhe të komplikuar. Por dua të theksoj poashtu se midis Prishtinës dhe Beogradit, për statusin politikë nuk mund të ketë kompromis. Qëndrimi i Prishtinës është shumë i qartë, Kosova e pavarur dhe sovrane. Pretendimet janë gjithashtu janë shumë të qarta për fat të keq. Serbia pretendon që Kosova të jetë pjesë e Serbisë, prandaj kjo është e pamundur, e pa arritshme, e refuzueshme nga ana kosovare dhe plotësisht e papranueshme prej komunitetit ndërkombëtarë. Ne veç e kemi arritur kompromisin e mjaftueshëm. Pavarësia me mbikëqyrje civile ndërkombëtare është kompromisi që ka bërë Prishtina. Prandaj ne duam vetëm që ky proces dhe propozimi i zotit Ahtisaari për Kosovën e pavarur tash me mbështetjen e SHBA, të BE-së dhe të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së edhe vendeve tjera përreth Kosovës të shtyhet përpara dhe të nxirret vendimi, sa më shpejt që është e mundur, për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, treshja diplomatike la të hapur mundësinë që të pranohet çdo opsion, madje lanë të kuptohet se nuk do të kundërshtojnë as mundësinë e ndarjes. Kjo a nënkupton një kthim prapa në procesin negociues?

Hashim Thaçi: E para: pavarësia e Kosovës është e pa negociueshme. Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, e pacenueshëm, është i shenjtë. Ka pasur një keqinterpretim të deklaratës së zotit Ischinger (Wolfgang) i cili më vonë edhe e qartësoi, por pretendimet e tilla serbe për ndarjen e Kosovës, janë edhe në kundërshti të plotë me vullnetin e Prishtinës, janë në kundërshtim të plotë me realitetin rajonal, por janë në kundërshtim të plotë edhe me parimet e Grupit të Kontaktit, prandaj treshja ndërkombëtarë si bazë të angazhimeve të veta e ka respektimin e parimeve të Grupit të Kontaktit dhe mos ndryshimi i kufijve është një nga parimet kryesore të angazhimeve shtesë edhe të treshes ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Gjykuar nga deklaratat e diplomatëve të treshes sikur ka një ndryshim be qasjen ndërkombëtare nga çështjes së Kosovës. A e shihni ju një ndryshim të tillë?

Hashim Thaçi: Është një ndryshim sepse kësaj radhe kemi një prezantim më unik të komunitetit ndërkombëtarë do të thotë edhe involvimin e Rusisë në proces. Mendoj se kjo do t’i jap një qasje të re dhe një shtytje të re në mënyrë që edhe nëse kthehet procesi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që ne duam të kemi një vendim unik e konsensual nga komuniteti ndërkombëtarë, Rusia të mos vazhdojë të luajë rolin e vet negativ në kuptimin e veprimeve të njëanshme për të shtyrë procesin apo bllokuar njohjen zyrtare ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, u tha se nuk do të lihet gurë pa u lëvizur për të gjetur një kompromis ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kompromisi, siç thatë e dhe ju më herët, është gati i pamundur. Në këtë mënyrë a mos po blihet një kohë 120ditëshe në këtë proces që do të kthej gjithçka në fillim?

Hashim Thaçi: Ky angazhim shtesë ka qenë krejt i panevojshëm. Pozicioni i Prishtinës është i pandryshueshëm. Ai buron nga vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe nuk do të ndryshojë as në të ardhmen. Pavarësia e Kosovës me mbikëqyrje civile ndërkombëtare, e ritheksoj, është kompromisi i Kosovës. Prandaj Prishtina dhe Beogradi mund të jenë fqinjë të mirë, mund të integrohen në strukturat e BE-së dhe NATO-s në të njëjtën kohë, por assesi bashkërisht. Është e pa tolerueshme edhe një “status quo” e dytë për Kosovën. E kemi kaluar “status quon” e parë tetëvjeçare, tash është koha e vendimit. Populli i Kosovës e pret këtë vendim, e pret me optimizëm, e pret me mbështetje të plotë të SHBA dhe të BE-së dhe natyrisht edhe me shpresë se këtij vendimi për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë t’i bashkohet edhe Rusia.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, t’u kthehemi pas zhvillimeve të brendshme. Është thënë se krahas procesit të statusit të bëhen edhe veprimet që kanë të bëjnë me jetën e brendshme politike dhe në këtë kuadër zgjedhjet janë një prej debateve kryesore. Ka një ndarje ndërmjet përfaqësuesve politikë rreth asaj nëse duhet të mbahen zgjedhjet në vjeshtë, apo të shtyhen për shkak të shqetësimeve se mund të pengojnë procesin e statusit. Si duhet të zgjidhet kjo çështje sipas jush?

Hashim Thaçi: Duke u nisur nga rrethanat e krijuara se menjëherë në fund të shtatorit, apo në fillim të tetorit Parlamenti i Kosovës nuk do të ketë mandat të mëtutjeshëm, por edhe ekipit të unitetit i humb mandati në kuptimin legal dhe legjitim qytetar, ne do të fokusohemi që shumë shpejt të caktojmë datën e zgjedhjeve, organizmin e tyre sa më shpejtë që është e mundur. Mbajtjen e zgjedhjeve të lira, demokratike, të një konkurrence të mirëfilltë demokratike dhe avancimit të vlerave dhe programeve në të mriz të të gjithë qytetarëve. Kosova është e gatshme të ecë paralelisht në dy procese të qartësisë, për zhvillimin e demokracisë dhe zyrtarizimin e pavarësisë. //rd//

XS
SM
MD
LG