Lidhje

Të bardhët në shumë qytete amerikane përfaqësojnë pakicën


Sipas një raporti të ri të agjencisë amerikane të statistikave, të bardhët janë tani në pakicë në afro një ndër 10 qarqe të Shteteve të Bashkuara. Ekspertët thonë se larmia në rritje po ndihmon për të balancuar pakësimin e popullsisë në disa zona rurale, por nga ana tjetër po krijon edhe tensione në disa komunitete.

Popullsia e Shteteve të Bashkuara po bëhet gjithnjë e më e larmishme, falë emigracionit dhe ritmeve më të larta të lindjeve mes zezakëve dhe hispanikëve. Në shkallë kombëtare, numri i pakicave arriti në 100 milionë për herë të parë në vitin 2006, duke përbërë rreth një të tretën e gjithë popullsisë. Popullsia hispanike vazhdoi të rritet me ritmet më të shpejta në qarqet e mëdha metropolitane në Jug nga viti 2000 deri në 2006-ën.

Por Mark Mather i Zyrës për Referencat mbi Popullsinë në Washington thotë se pakicat janë gjithnjë e më shumë të prirur që të shkojnë edhe përtej qyteteve të mëdha.

“Pakicat po përhapen në gjithë Shtetet e Bashkuara. Më parë, veçanërisht lantinasit, shumica e të cilëve janë emigrantë ishin të përqendruar në qytetet e mëdha, si Los Angeles dhe Çikago, Miami dhe New York. Por në pesë deri në dhjetë vjetët e fundit, kemi parë gjithnjë e më tepër përfaqësues të pakicave që shkojnë në rrethina dhe në disa zona rurale”.

Mather thotë se në një numër zonash rurale dhe qytetesh të vogla, komunitetet kanë humbur vende pune në fabrika, miniera dhe industri të tjera. Ai thotë se shumica e vendeve të reja të punës të krijuara në ato zona janë të paguara pak dhe i takojnë sektorit të bujqësisë, paketimit të mishit dhe sektorëve të tjerë që tërheqin më tepër imigrantët e sapoardhur. Ai thotë se hispanikët kanë ndihmuar për të balancuar humbjet në zona me popullsi në rënie. Por Mather tha se ndryshimi demografik mund gjithashtu të shkaktojë zemërim dhe reagime ndaj imigrantëve në disa zona.

“Kurdo që në një komunitet ku popullsia nuk ka më parë qenë e larmishme, kur vijnë njerëz të rinj, mendoj se krijohet një përplasje kulturash. Shumë nga banorët që kanë qenë aty prej kohësh mund të mos ndjehen në fillim mirë me njerëz që duken ndryshe, që flasin një gjuhë tjetër dhe kjo krijon një fare tensioni”.

Ekspertët janë të një mendjeje se Amerika do të jetë gjithmonë e larmishme. Agjencia amerikane e statistikave parashikon se deri në vitin 2050, pakicat do të përbëjnë gjysmën e të gjithë popullsisë, duke i bërë pakicat shumicë. //ad//

XS
SM
MD
LG