Lidhje

SHBA: Politika e jashtme dhe debati presidencial i demokratëve


Në Shtetet e Bashkuara, të 8 kandidatët demokratë që kërkojnë emërimin e partisë së tyre për zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, zhvilluan dje një debat që u transmetua me televizion në shkallë kombëtare. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Paola Ufson, tema kryesore e trajtuar në debatin që u zhvillua në shtetin Ajova, ishte ajo e politikës së jashtme.

Debati për pak çaste u përqëndrua tek senatori Barak Obama, pikërisht në çështjen në se ai ka eksperiencën e nevojshme për të drejtuar politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Senatori Obama ka thënë, se në se ai zgjidhet president, do të jetë i gatshëm të takohet me kundërshtarët e Amerikës. Ai ka lënë gjithashtu të kuptohet, se do të jetë i gatshëm të dërgojë forca ushtarake në Pakistan, në se do të kishte të dhëna të mjaftueshme zbulimi lidhur me strehimin atje, të udhëheqësit të Al-Kaidës, Osama Bin Laden.

Senatori i shtetit Konektikat, Kristopher Dod, i cili ka shërbyer në Kongres për më shumë se 3 dekada, tha se këto komente provojnë se zoti Obama nuk është gati për të qenë president i Shteteve të Bashkuara.

"Ne po i pyesim demokratët në të gjithë vendin, që të zgjedhin mes nesh personin që është më aftë për të drejtuar vendin, atë që ka eksperiencën, përvojën dhe që është i treguar i suksesshëm në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë si me politikën e brendshme, edhe me atë të jashtme, që janë probleme kritike. Në janarin e 2009, presidenti i zgjedhur nuk do të ketë më kohë të përgatitet për të kryer punën e tij, por ai duhet të jetë i gatshëm ta kryejë atë menjëherë", - tha zoti Dod.

Senatorja e Nju Jorkut, Hillari Klinton, u tregua më e përmbajtur në komentet e saj për zotin Obama. Por ajo theksoi se gjithësecili kandidat që është përfshirë në fushatë, duhet ta kuptojë se sa me kujdes ndiqen fjalët e tyre jashtë vendit. Ajo citoi, për shembull, reagimin e zemëruar që ngjallën në Pakistan komentet e zotit Obama.

"Pakistani është në tehun e thikës. Fatkeqësisht, ky vend mund të bëhet objektiv për xhihadistët, prandaj duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm me ato që themi për Pakistanin", - tha zonja Klinton.

Senatori Obama, i cili ka vetëm 4 vjet që është bërë figurë politike, ju përgjigj këtij komenti, duke theksuar nevojën për një trajtim të ri të çështjeve, me të cilat përballet vendi. Ai tha, se është provuar tashmë, se eksperienca nuk është kurdoherë e nevojshme të jetë kriteri më i mirë për trajtimin e problemeve me peshë. Ai citoi me këtë rast, zyrtarë amerikanë të tanishëm dhe të mëparshëm, të përfshirë për planifikimin e luftës në Irak.

"Nuk ka patur njeri me më tepër eksperience se sa Don Rumsfeldi dhe Dik Cejni. Dhe shumë nga njerëzit në adminsitratën aktuale autorizuan fillimin e luftës. Kjo tregon, se si mund të hyjmë në një rrugë të gabuar, kur angazhohemi në këtë lloj të menduari konvencinale, që tashmë është bërë diçka e zakonshme në Uashington", - tha Senatori Obama.

Lidhur me Irakun, që të gjithë kandidatët demokratë theksuan dëshirën e tyre për kthimin në atdhe të trupave amerikane. Në qëndrimin e tyre pati disa ndryshime. Një numër i vogël i tyre folën për nevojën e një tërheqjeje të menjëhershme, ndërsa të tjerë paralajmëruan se do të duhet kohë për të planifikuar një operacion të tillë, kaq të gjerë.

Por ish-senatori Xhon Eduards tha se kandidatët demokratë, si grup, ofrojnë një skenar shumë më të ndryshëm se sa kandidatët republikanë për president.

"Ndryshimet mes ne të gjithëve janë shumë të vogla krahasuar me kandidatët republikanë, të cilët, mund të them me plot gojën se janë edhe më ekstremistë se sa Presidenti Bush. Ata do ta vazhdojnë luftën për sa kohë që të jetë e mundur",- tha zoti Edwards.

Ky ishte debati i parë televiziv i kandidatëve demokratë në shtetin e Ajovës, ku do të zhvillohet gara e parë kryesore e fushatës presidenciale së vitit 2008. Në janar, demokratët është në plan të takohen pikërisht në shtetin e Ajovës, për të vendosur se cilin kandidat ata do të mbështesin në Kuvendin Kombëtar të partisë së tyre.

Anketimet më të fundit tregojnë se tre janë kandidatët kryesorë demokratë për zgjedhjet presidenciale të 2008-ës. Ata janë senatori Obama, senatorja Klinton dhe ish-senatori Eduards.//lk

XS
SM
MD
LG