Lidhje

Shqipëria deklarohet optimiste për pavarësinë e Kosovës


Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulëzim Basha, tha se deklaratat për ndarje të Kosovës janë vetëm përpjekje për të larguar vëmendjen e opinionit nga rruga e pakthyeshme drejt pavarësisë. Zoti Basha deklaroi me optimizëm në Tiranë se në fundin e negociatave për Kosovën gjendet pavarësia e saj.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulëzim Basha, deklaroi të hënën se në fund të procesit të bisedimeve për Kosovën gjendet pavarësia e saj. "Më lejoni që, para se të paragjykoj hapat e fundit të diplomacisë ndërkombëtare, të them që në fund të kësaj dinamike ndodhet padyshim procesi i pavarësimit të Kosovës në një mënyrë ose në një mënyrë tjetër, dhe të them se Shqipëria do të jetë paraprirëse e këtij zhvillimi", tha ministri.

Ministri Basha tha në Tiranë gjatë një takimi me gazetarë se plani i zotit Ahtisarit nevojitet të zbatohet dhe se bllokimi i procesit vetëm nga Rusia solli përqëndrimin më të madh të vendeve perëndimore në zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. "Bisedimet shtesë nuk përbëjnë gjë tjetër vecse një lëvizje taktike për të bërë gjithë përpjekjet e duhura dhe për t'i kthyer një përgjigje bllokimit unilateral rus të rezolutës në këshillin e Sigurimit të OKB-së të paketës Ahtisari. Në fund të këtyre përpjekjeve, në fund të këtyre bisedimeve shtesë nuk mbetet asgjë tjetër për t'u bërë përveç vënies në jetë të paketës Ahtisari me veprime dinamike të NATO-s, Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës" - tha ai.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Basha, deklaroi gjithashtu se propozimet për ndarjen e Kosovës janë shumë të vjetra dhe u përdorën edhe në kohën e Sllobodan Millosheviçit, dhe janë kundërshtuar me forcë gjithmonë. Por aktualisht ato opsione, sipas tij, po përdoren vetëm për të larguar vëmendjen nga procesi i pakthyeshëm i pavarësisë. "Ndarja është një opsion që i përket kohës së Millosheviçit, nuk i përket aspiratave për integrim euro-atlantik të popujve të Ballkanit. Sigurisht që është një opsion i rrezikshëm, sepse në thelb ka idenë e shteteve të pastra etnike dhe si i tillë shërben vetëm si luftënxitës. Ky është një opsion që hidhet vetëm për të hequr vëmendjen nga kursi i pashmangshëm i Kosovës, dhe ky kurs është zbatimi i paketës Ahtisari në terren, në bashkëpunim midis NATO-s, BE-së dhe SHBA-ve brenda një kohe sa më të shkurtër, pa paragjykuar bisedimet e pritshme shtesë" - theksoi zoti Basha.//ii

XS
SM
MD
LG