Lidhje

Parisi u kthehet biçikletave për të zgjidhur trafikun e mbingarkuar


Parisi është qyteti më i fundit që po u kthehet biçikletave në një përpjekje për të pakësuar trafikun në rrugët e tij të mbingarkuara. Velib quhet iniciativa e fundit e ndërmarrë nga kryetari i bashkisë për ta bërë qytetin më miqësorë ndaj ambjentit duke hapur shteg për to pranë rrugëve automobilistike. Që nga 15 korriku, më shumë se 10 mijë e 600 biçikleta janë vendosur në 750 stacione në mbarë Parisin ndërkohë që numri i tyre pritet të dyfishohet deri në fund të vitit.

Duket se parizianët i janë kthyer fuqisë së pedaljeve. Një muaj pas fillimit të sistemit të vetshërbimit të biçikletave, Parisi ka më shumë se 1 presje 6 milion përdorues deri tani dhe 50 deri 70 mijë që i marrin biçikletat me qira çdo ditë. Komoditeti është faktori kryesor i suksesit të sistemit. 10 mijë e 600 biçikleta Velib janë të vendosura në 750 stacione në mbarë qytetin. Shërbimi quhet Velib - kombinim i fjalëve “velo” biçikletë dhe “liberte” liri, dhe është iniciativa e kryetarit socialist të bashkisë Bertrand Delanoe që e la bërë luftën ndaj trafikut dhe ndotjes synimin e tij numër 1. Për parizianët shërbimi i biçikletave do të thotë një mundësi tjetër transporti publik përveë metrosë, autobuzëve dhe tramvajës.

Velib është e volitshme edhe për turistët. Shërbimi ofrohet në tetë gjuhë dhe makinat e tij pranojnë karta krediti të huaja. Parisi ndoqi shembullin e qyteteve të tjera evropiane me shërbime të lira të biçikletave, përfshi Lionin, Stokholmin, Vienën, Brukselin, Barcelonën dhe Kopenhagen.

Kryetari i bashkisë Bertrand Delanoe ka nxitur sistemin e biçikletave që kur erdhi në post në vitin 2001 dhe qyteti ka tani 380 kilometra rrugë për biçikleta. Matthie Fierling është zëvendës drejtor i projektit Velib në bashkinë e Parisit. “Deri në vjeshtë marrja me qira e biçikletave do të rritet më tej. Parizianët janë tani me pushime por kur të kthehen me siguri që do bëjnë pronotime vjetore për të përfituar nga ky sistem transporti. Kemi në plan të hapim më shumë stacione dhe të vëmë në qarkullim më shumë biçikleta”, thotë Fierling. Prenotimi vjetor kushton vetëm 29 euro ose 5 euro në muaj.

E në se kërkon të kryesh një rrugë të shkurtër në biçikletë 30 minutat e para kushtojnë 1 euro, e dyta 2 euro ndërsa për gjithë ditën kushton 4 euro. Por projekti është i hartuar për rrugë të shkurtra dhe ka një rritje të çmimit për ti mbajtur biçikletat në qarkullim. Kushdo që nuk e di këtë sistem pagese do të shëtiste me biçikletë e më pas do të habitej të mësojë se një biletë përnjë ditë plus 6 orë do ti kushtonte rreth 55 dollarë.

Denis Arpiliere banor i Parisit thotë se biçikleta është e mirë për shëndetin dhe ambjentin. "Është gjë e mirë, dhe më pëlqen. Është mirë për fiskulturë, është ekologjike. Ka shumë të mira". Vjedhjet janë në minimun pasi biçikleta ka një dizenjo të veçantë, parkimi është shumë i sigurtë dhe pagesat bëhen vetëm me karta krediti. Në se biçikleta nuk kthehet përdoruesi përballet me gjobë.

Kryetari i bashkisë së Londrës Ken Livingston ishte aq i impresionuar nga sistemi i biçikletave në kryeqytetin francez sa që kërkoi një studim për të parë në se ai do të funksionojë edhe në rrugët e ngarkuara të Londrës. //rd//

XS
SM
MD
LG