Lidhje

Presidenti meksikan në luftë me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar


Në Meksikë, presidenti Felipe Calderon po vazhdon luftën e tij të gjithanshme kundër trafikantëve të drogës dhe krimit të organizuar. Por bandat e dhunshme po kundërpërgjigjen. Më shumë se një mijë vetë janë vrarë që kur zoti Calderon mori pushtetin në dhjetor. Kësaj atmosfere të tensionuar iu shtuan edhe dy incidente me bombë në fillim të muajit kundër tubacioneve të gazit natyror të kompanisë shtetërore të naftës Pemex. Ndërprerja e punës shkaktoi mbylljen e përkohshme të industrive të rëndësishme në veri të vendit.

Sabotazhi kundër sektorit më të madh industrial të Meksikës tronditi shumë njerëz dhe shkaktoi miliona dollarë humbje. Përgjegjësinë e mori një grup i vogël në jug të Meksikës, por analisti i pavarur i energjisë David Shields është midis atyre që kanë dyshime. "Duket se ata kishin lëndë shpërthyese të sofistikuara. Me sa duket ato kanë ardhur nga Evropa Lindore. Është shokuese për shumë nga ne që një organizatë lokale terroriste mund të ketë në duar eksplozivë të tillë". Zoti Shields dyshon për autorë të tjerë. "Kur u konfirmua se këto ishin sulme terroriste, mendja të shkon menjëherë tek kartelet e drogës si autorë të mundshëm. Mendoj se nuk mund të përjashtojmë gjithsesi përfshirjen e tyre".

Në muajt e fundit, bandat e drogës kanë vrarë dhjetra policë dhe ushtarë në kundërpërgjigje ndaj sulmeve të qeverisë. Analistja Ana Maria Salazar në Meksikë pohon se shpërthimet tek tubacionet e gazit mund të jenë kryer nga bandat kriminale, por ajo nuk përjashton mundësinë e përfshirjes së terroristëve ndërkombëtarë. "Në një faqe elektronike para dy muajsh, u botua një kërcënim, që mendohet të jetë vënë nga al-Kaida, ku paralajmëroheshin të gjitha vendet që furnizonin me naftë Shtetet e Bashkuara, përfshi këtu edhe Meksikën".

Por nuk ka patur sulme të tjera dhe nuk ka prova për përfshirje të al-Kaidës. Në Shtetet e Bashkuara ekspertët e terrorizmit janë të shqetësuar nga mungesa e aftësisë së Meksikës për të përballuar një kërcënim të tillë. Fred Burton është analist për sigurimin në firmën Strategic Forecasting me seli në Austin të Teksasit. "Organet e rendit mezi mbijetojnë në Meksikë dhe nuk kanë kohë të shqetësohen rreth kërcënimeve të al-kaidës dhe xhihadistëve". Analisti Burton shikon probleme të mëtjeshme për Shtetet e Bashkuara në se organizatat kriminale mbeten të fuqishme dhe dhuna vazhdon të pllakosë Meksikën. "Shkalla e dhunës, veçanërisht përgjatë kufirit dhe lloji i aktiviteteve kriminale që po kryen, që nga larja e parave, trafikimi i armëve e deri tek trafiku i qëndieve njerëzore, është në nivelin më të lartë që ka qënë ndonjëherë".

Lufta e presidentit Calderon kundër bandave të trafikut të drogës ka mbështetje të fuqishme nga populli meksikan, por shumë ekspertë shtrojnë pyetjen e ndikimit që ajo do të ketë. Ana Maria Salazar thotë se qeveria ka rimarrë nën kontroll nga bandat kriminale disa zona por mbeten edhe sfida përpara. "Ka ende zona në Meksikë që kontrollohen nga trafikantët e drogave. Policia dhe ushtria kanë frikë të hyjnë në to.” Zonja Salazar thotë se operacionet kundër bandave të drogës po shterojnë burimet e ushtrisë. Qeveria thotë ajo, duhet të përballet organizatat kriminale, por analistja shtron pyetjen se ku do të çojë më tej kjo luftë. "Nuk është e qartë për shumë nga ne cili është hapi tjetër që do të ndërmerret për këto çështje. Pas dërgimit të ushtrisë dhe pastrimit të disa prej këtyre rajoneve, pas dërgimit të forcave të rendit në këto komunitete, cili do të jetë hapi i mëtejshëm?," pyet analistja.

Përgjigja e kësaj pyetje mund të gjendet pas disa muajve, ndërkohë që presidenti Calderon mbush një vit në postin e tij dhe përfundon faza e parë e luftës së tij kundër perandorive kriminale që kërcënojnë vendin e tij. //rd//

XS
SM
MD
LG