Lidhje

Debati mbi programin bërthamor të Teheranit


Raporti i ardhshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore lidhur me përparimin e bërë në çështjen e programit të debatueshëm të Iranit mund të përcaktojë shumë mirë nëse Këshilli i Sigurimit i OKBsë do të vendosë një seri tjetër sanksionesh ndaj Teheranit. Raporti i agjencisë pritet në fillim të shtatorit. Por në Uashington po debatohen tani nëse diplomacia ka arritur fundin dhe në se veprime më të guximshme janë të nevojshme për të bllokuar ambiciet rajonale dhe bërthamore të Iranit.

Zyrtarët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore takohen në Teheran në përpjekje për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me programin e pasurimit të uraniumit të Iranit. Irani nuk ka përfillur kërkesat e OKB-së për të ndaluar programin, duke këmbëngulur se ai është thjesht për prodhimin e energjisë.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet të tjera perendimore dyshojnë se Teherani kërkon të prodhojë armë bërthamore. Përfundimet e agjencisë nëse Irani është më transparent mund të përcaktojnë mbështetjen për përpjekjet amerikane për të vendosur sanksione shtesë mbi Iranin.

John Calabrese është ekspert i Iranit në Institutin për Lindjen e Mesme në Washington. "Në se raporti i agjencisë tregon se Irani nuk ka bashkëpunuar atëhere mendoj se kjo forcon pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara për të bërë atë që disa në administratë duket se janë të vendosur ta bëjnë, të vendosin më shumë sanksione". Por disa thonë se edhe sanksionet nuk do të mjaftojnë për të ndalur ambicjet bërthamore të Iranit ndërkohë që po zhvillohet një debat midis instituteve të ndryshme studimore në Uashington nëse veprime më të fuqishme, përfshi përdorimin e forcën, janë të nevojshme për të ndaluar Iranin.

Studiuesit theksojnë se megjithë ofertën më shumë se një vit më parë nga Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice për bisedime me Iranin, pak përparim është bërë për çështjen bërthamore ose për të ndaluar Gardën Revolucionare të Iranit të furnizojë me armë kryengritësit në Irak. Ish ambasadori amerikan në OKB, John Bolton është midis atyre që janë për një qëndrim më të rreptë.

Të tjerë, si Patrick Clawson i Institutit për Politikat e Lindjes së afërme kanë një qëndrim më të zbutur. "Në se agjentët iranianë vrasin amerikanë, sigurisht që Shtetet e Bashkuara mund të përdorin forcën kundër tyre. Por çështja bërthamore është një çështje krejt tjetër. Përsa kohë që Irani përparon me ngadalë me programin bërthamor dhe përsa kohë që diplomacia përparon atëherë nuk duhet të nxitohemi për të përdorur forcën ushtarake", thotë analisti.

Tani për tani, vendosja e sanksioneve më të rrepta nga OKB-ja duket të jetë përparësia e administratës së presidentit Bush. Në mars Këshilli i Sigurimit votoi për të ngrirë pasuritë e individëve dhe organizatave të veçanta të përfshira në programin bërthamor të Iranit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Sean McCormack tha se administrata vazhdon ta shohë këtë masë si një mjet të vlefshëm. "Ata kanë forcën e ligjit ndërkombëtar. Gjithnjë e më shumë sheh një re të mbledhur mbi Iranin lidhur me komunitetin finaciar ndërkombëtar dhe atë të biznesit". Dhe administrata e presidentit Bush e ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë një Iran me armë bërthamore. //rd//

XS
SM
MD
LG