Lidhje

Bush: Vendimi për dërgimin e më tepër trupave në Irak po jep rezultate


Presidenti Bush tha se vendimi i tij për dërgimin e më tepër trupave në Irak po fillon të japë rezultate, por ai shtoi se strategjia nuk do të mund të sjellë suksesin brenda një dite.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti tha se përforcimi i trupave po ndihmon në pakësimin e dhunës sektare në Irak. Ai tha se një numër më i madh irakianësh “po ngrihen, për ta mbrojtur demokracinë e tyre”, se të rinjtë po hyjnë në radhët e ushtrisë, ndërsa qytetarët po formojnë grupe vetmbrojtëse.

Zoti Bush gjithashtu bëri thirrje për durim me operacionet në Irak, për të cilat ai tha se janë ende në fazën e tyre të hershme.

Duke folur në emër të demokratëve, ish senatori dhe veterani i luftës së Vietnamit Max Cleland kritikoi strategjinë ushtarake të Presidentit, duke thënë se konflikti në Irak është një problem politik irakian.

Presidenti Bush është nën presion gjithnjë e më të madh nga demokratët në Kongres, por edhe nga anëtarë të partisë së tij republikane për tërheqjen e trupave nga Iraku. Të enjten senatori i njohur republikan John Warner, i bëri thirrje presidentit Bush të fillojë tërheqjen e trupave para fundit të këtij viti.

Gazeta Washington Post njoftoi dje, se presidenti Bush pritet të mos e ndryshojë strategjinë e tij të tanishme edhe pas raportit të shumëfolur mbi progresin në Irak që pritet të paraqitet muajin e ardhshëm. //ze//

XS
SM
MD
LG