Lidhje

Karamanlis u kërkon grekëve bashkim pas kritikave të opozitës


Në Greqi, Kryeministri Kostas Karamanlis, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar, ndërsa ekipet zjarrfikëse nga gjithë Evropa luftojnë me flakët e zjarreve, që kanë përfshirë vendin për të pestën ditë me radhë.

Komentet e tij pasojnë kritikat e udhëheqësit të Partisë Socialiste të opozitës, Jorgo Papandreu, ndaj përpjekjeve të qeverisë për zgjidhjen e krizës. Disa qindra njerëz demonstruan dje në Athinë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me situatën. Por deputeti i opozitës Stavros Lambrinidis, anëtar i Parlamentit Evropian, përsëriti thirrjen e kryeministrit për t’i bërë ballë krizës. Zjarrfikësit grekë bashkë me kolegët e tyre nga Izraeli dhe vendet të Evropës po përdorin aeroplanë dhe helikopterë, që hedhin ujë, për të vënë zjarret nën kontroll.

Policia ka akuzuar 7 vetë për vënien e zjarreve, ndërkohë që qeveria ofron 1,4 milionë dollarë shpërblim për informacione që do të çonin në arrestime të tjera. Zjarret kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 63 njerëzve dhe kanë shkrumbuar mijëra hektarë pyje si edhe fshatra të shumtë.

XS
SM
MD
LG