Lidhje

Dokumentari “Ora e njëmbëdhjetë” jep alarmin për ngrohjen globale


Një dokumentar i ri me titull "The 11th Hour”- "Ora e Njëmbëdhjetë", jep alarmin për ngrohjen globale dhe analizon shkaqet si dhe efektet e kësaj dukurie. Aktori i njohur Leonardo di Caprio është producent i këtij filmi, i cili përpiqet të shpjegojë se ç’duhet të bëjë njerëzimi për të shpëtuar planetin. Jo të gjithë studiuesit janë dakord se ngrohja globale po shkatërron njerëzimin.

Pamjet e filmit nuk janë të reja. As mesazhi që përcjellin ato: se fenomenet ekstreme të natyrës mund të shkatërrojnë jetën njerëzore. Ashtu si dokumentari "Një e vërtetë e pakëndëshme” fitues i Çmimit Oskar, edhe filmi "Ora e Njëmbëdhjetë" paralajmëron për ngrohjen globale. Por fokusi i dokumentarit shkon përtej ndryshimit të klimës. Ai trajton dinamikën njerëzore që ka çuar në këto ndryshime duke filluar qysh nga revolucioni industrial.

Për të arritur këtë, regjisoret Nadia Conners dhe motra e saj, Leila Conners Petersen, kanë intervistuar më shumë se 50 shkencëtarë, ekologjistë, autorë librash, profesorë dhe ekspertë të tjerë të ndryshimit të klimës. Njëri prej tyre është ambjentalisti Kenny Ausubel.

"Filmi ka të bëjë në thelb me marrëdhëniet mes dy sistemeve më të komplikuara në botë: shoqërisë njerëzore dhe natyrës. Gjithë puna është nëse njerëzit do ta ruajnë apo jo këtë ekuilibër. Nëse nuk e ruajnë, ata janë të dënuar të zhduken."

Petersen thotë se mbledhja e gjithë këtyre intervistave ka qenë një sfidë e madhe por nuk ka qenë e vështirë të bindeshin këta njerëz të jepnin mendimet e tyre para kamerës lidhur me ngrohjen globale.

"Shumë prej tyre e ndjenin urgjencën për këtë gjendje, ashtu si ne. Fakti që në film merrte pjesë Leonardo di Caprio, i bëri ata të thoshin: sa mirë, tani mendimi ynë do të dëgjohet!'"

Aktori Di Caprio është producent i dokumentarit. Ai është gjithashtu lexuesi i tekstit në film.

"Shpyllëzimet, erozioni, dhe një sërë problemesh të tjera kanë vazhduar pa ndërprerje," lexon Di Caprio.

Por nuk janë dakord me këtë shkencëtarë si Patrick J. Michaels, studiues i mjedisit pranë Institutit Cato.

"Ne klimatologët e dimë pothuajse me saktësi se sa do të ngrohet toka gjatë 20-50 vjetëve të ardhshëm. Nuk do të ngrohet shumë, rreth 8/10 e gradës celsius. Ta ekzagjerosh këtë dhe të thuash se botës po i vjen fundi, kjo është absurde, nuk përputhet me historinë."

Shkencëtarët që paralajmërojnë për ngrohjen globale flasin me po aq pasion sa edhe ata që e vënë këtë në dyshim. Sipas tyre, koha po kalon dhe në të gjitha nivlet sociale është i nevojshëm ndryshimi – nga administratat dhe korporatat e deri te komunitetet dhe individët. Megjithë skenarin pesimist, regjisorja Nadia Conners thotë se filmi mbaron me një mesazh shprese.

"Është një kohë shumë shpresëdhënëse. Kjo është edhe një nga thëniet më të pëlqyera të filmit, ajo që thotë studiuesi Paul Hawken: “Çfarë kohe e bukur të lindësh tani – sepse është pikërisht ky brez të cilit i takon të ndryshojë botën. Dhe çdo gjë që bëjmë sot ne duhet ta riprojektojmë."

Filmi “Ora e 11” megjithëse nuk është i përkryer nga ana vizuale, i bën njerëzit të zgjohen dhe të bëjnë diçka për ta përmirësuar botën ku jetojmë.//kk//

XS
SM
MD
LG