Lidhje

Shqipëri: Thirrje që zjarrëvënia të kualifikohet mes krimeve të rënda


Në Shqipëri autoritetet po shohin mundësinë për të bërë një ndryshim në ligj, sipas të cilit zjarrëvënia do të duhet të kualifikohet mes krimeve të rënda. Këtë e bëri publik ministri i brendshëm Bujar Nishani gjatë një takimi që ai pati dje me drejtuesit e policisë në qarqe.

Aktualisht ligji shqiptar përcakton se shkatërrimi i pronës me zjarr dënohet deri me 10 vjet burgim.

Zoti Nishani deklaroi se sipas tij “ka një fushatë të vënies së zjarreve dhe është fakt se zjarret janë vënë në mënyrë të qëllimshme” duke kërkuar me këmbëngulje hetime sa më të thella.

“Kësaj situate që cënon rëndë rendin dhe sigurinë, dëmton pronën publike dhe private e për më tepër rrezikon jetën e njerëzve, duhet t’i përgjigjemi me forcën e ligjit”, është shprehur ministri Nishani.

Por më shumë se sanksionet më të rënda ligjore, problem duket gjykimi i personave të akuzuar për zjarrvënie. Një grup i ndaluar javët e kaluara nën akuzën e ndezjes së zjarreve në Llogara u lanë të lirë për mungesë provash nga gjykata. Janë mbi 50 vetë të arrestuar nga policia për zjarret e vëna në të gjithë vendin gjatë stinës së verës.

Shqipëria është përfshirë nga flakët që prej tre muajsh. Mbi 1000 vatra zjarri janë regjistruar në të gjithë vendin duke shkrumbuar qindra hektarë pyje. //ii

XS
SM
MD
LG