Lidhje

Oli Rehn: BE-ja mbështet përpjekjet e Treshes, por ndarja e Kosovës nuk është alternativë e pranueshme për zgjidhje


Në fund të kësaj jave, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të mblidhen për një takim jozyrtar ku ndër të tjera do të diskutohet edhe përparimi i negociatave për statusin e Kosovës. Përfaqësuesi i BE-së në këto bisedime, Volfgang Ishinger u takua sot me Komisionerin Evropian për Zhvillimin, Oli Rehn, për ta njohur me ritmet e negociatave. Pas takimit zoti Rehn theksoi mbështetjen e BE-së për përpjekjet e Treshes por shtoi se ndarja e Kosovës nuk është alternativë e pranueshme për zgjidhje.

"Zhvilluam një shkëmbim shumë të vlefshëm pikëpamjesh mbi procesin e Treshes para takimeve jozyrtare të ministrave të jashtëm në fund të javës kur në Portugali do të diskutojmë procesin e statusit të Kosovës, dhe kur zoti Ishinger do të raportojë para ministrave të jashtëm. E sigurova Ambasadorin Ishinger për mbështetjen tonë të plotë për këto përpjekje të rëndësishme. BE-ja preferon që zgjidhja të arrihet me negociata dhe po punojmë seriozisht për këtë".

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin theksoi se organizata shpreson se palët në diskutime do të tregohen konstruktive në propozimet dhe qëndrimet e tyre në këto negociata.

"Siç e thashë kjo çështje do të kërkojë një qëndrim kontruktiv dhe me imagjinatë nga Beogradi dhe Prishtina në mënyrë që të kemi mundësi të shohim rezultate më 10 dhjetor kur Treshja të paraqesë raportin përfundimtar".

Në Bruksel ishte sot për takime me zyrtarët evropianë edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç. Pas bisedimeve ai dhe zoti Rehn dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku ndër të tjera u pyetën edhe për idenë e ndarjes së Kosovës.

"BE-ja u përmbahet parimeve udhëzuese të Grupit të Kontaktit, dhe ndër ta nuk përfshihet ndarja territoriale. Prandaj kjo do të udhëheqë punën tonë. Përveç kësaj, çdo zgjidhje që pranohet nga Beogradi dhe Prishtina, nëse ato gjejnë një mirëkuptim, do të jetë i pranueshëm për BE-në".

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i serb përsëriti qëndrimin e qeverisë së tij kundër pavarësisë së Kosovës.

"Serbia kundërshton me forcë çdo ndarjeje të Serbisë. Nuk ka rëndësi se ku mund të kalojë vija kufitare, ne jemi kundër ndarjes së vendit tonë demokratik që njihet nga komuniteti ndërkombëtar". //ze//

XS
SM
MD
LG