Lidhje

Bush i bën thirrje Kinës të luajë rol aktiv kundër ngrohjes globale


Presidenti Bush i bëri thirrje Kinës që të luajë një rol aktiv në përpjekjet për të luftuar ngrohjen globale.

Duke folur sot për gazetarët në Sindi të Australisë, presidenti Bush tha se çështjet e ngrohjes globale nuk do të zgjidhen nëse Kina nuk angazhohet në përcaktimin e objektivave.

Kina u cilësua këtë vit si prodhuesi më i madh në botë i gazeve ndotëse të mjedisit. Pekini thotë se vendi vazhdon të zhvillohet dhe nuk mund të përballojë ekonomikisht teknologjitë e reja më efikase të energjisë.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë prodhuesit më të mëdhenj të gazeve, që krijojnë efektin serë, asnjëri prej tyre nuk e ka ratifikuar Protokollin e Kjotos.

Presidenti Bush tha se do të diskutojë me presidentin e Kinës, Hu Gjin Tao, lidhur me çështjet e ngrohjes globale, kur të takohet me të nesër.

Ndërkohë, Kryeministri i Australisë, Xhon Howard e siguroi Presidentin Bush se vendi i tij nuk do të pakësojë numrin e trupave në Irak.

Zoti Bush u takua me kryeministrin australian sot, para takimit të nivelit të lartë për Bashkëpunimin Ekonomik të Azi-Paqësorit, që fillon këtë javë.

Në një konferencë të përbashkët shtypi, Presidenti Bush përshëndeti mbështetjen e Australisë për çështjen e Irakut. Ai tha se në atë vend ka shenja ripajtimi, por theksoi se Iraku ka nevojë për përpjekje ndërkombëtare intensive.

Presidenti Bush dhe kryeministri Howard nënshkruan një traktat të ri për mbrojtjen, që synon të pakësojë pengesat për shkëmbimin e mallrave, shërbimeve dhe informacioneve të mbrojtjes.

Nesër, zoti Bush pritet të takohet me udhëheqësin e opozitës australiane Kevin Rudd, i cili ka deklaruar se do të tërheqë të 1500 trupat australiane nga Iraku nëse fiton zgjedhjet që mbahen këtë vit. //ze//

XS
SM
MD
LG