Lidhje

Departamenti i Shtetit reagon ndaj kërcënimit serb për pavarësinë e Kosovës


Departamenti amerikan i Shtetit tha sot se po i kërkon Beogradit të sqarojë deklarat e një zyrtari serb, i cili tha se vendi i tij mund të përdorë forcën për të parandaluar pavarësinë e Kosovës.

Departamenti i Shtetit ka kritikuar si "nxitëse dhe të padobishme" deklaratën e një zyrtari të lartë seb për Kosovën se Beogradi mund të përgjigjet ushtarakisht nëse Kosova shpall pavarësinë.

Shtetet e Bashkuara janë një prej ndërmjetësve të bisedimeve të tanishme, që synojnë të arrijnë një zgjidhje përmes negociatave, për çështjen e Kosovës dhe zyrtarët në Uashington janë të irrituar nga komentet që sugjerojnë se Serbia mund të përdorë forcën, në se nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme për Beogradin.

Në Serbi, Sekretari i Shtetit për Kosovën, Dushan Prorokoviç i tha gazetës Herald Tribune dje se Serbia mund të dërgojë trupat në Kosovë në se ajo shpall pavarësinë në mënyrë të njëanshme dhe njihet nga vendet perendimore. Zyrtari serb tha se Beogradi do të konsiderojë gjithashtu mbylljen e kufijve të Kosovës dhe shpalljen e një embargoje tregëtare kundër saj.

Gjatë konferencës së sotme të shtypit, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Tom Casey, tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë të shohin negociata të sukseshme nga palët e përfshira. Por ai shtoi, se në se kjo nuk arrihet, atëherë Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, siç është propozuar nga i dërguari i OKB-së Marti Ahtisari. "Në se këto diskutime nuk përfundojnë me një marrëveshje mes palëve, atëherë për ne, gjerat duhet të ecin përpara në bazë të planit Ahtisari. Do të ishte e padobishme dhe sigurisht një hap prapa për rajonin, për Serbisë, ashtu edhe për kosovarët, në se do të kishte përsëri dhunë nga ky proces. Dhe si palë që jemi të përfshirë në diskutimet diplomatike që po vazhdojnë, mendimi ynë është se është e panevojshme dhe e padobishme, për këdo që bën kërcënime të tilla", tha zëdhënësi.

Qeveria serbe ka dërguar sinjale të ndryshme rreth asaj që do të bëjë në rast të shpalljes së pavarësisë në mënyrë të njëanëshme nga Kosova. Të njëjtën ditë që zoti Prorokoviç shtroi çështjen e përdorimit të forcës, Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç i tha gazetës Financial Times se Beogradi nuk do të përgjigjej ushtarakisht, duke shtuar, megjithatë se shpallja e pavarësisë do të hapte një “kuti Pandore” në rajonin e trazuar.

Zoti Prorokoviç tha se shpallja e pavarësisë do të bënte të pavlefshme marrëveshjen me Naton, sipas të cilës trupat serbe kanë qëndruar larg Kosovës për tetë vjetët e fundit dhe se ridislokimi i trupave atje është një nga 16 mundësitë që po merr në shqyrtim Beogradi. Forcat serbe zhvilluan një fushatë mizore në Kosovë dhe u dëbuan prej andej pas fushatës ajrore të Natos në vitin 1999.

Rreth 17 mijë ushtarë të Natos vazhdojnë të jenë në Kosovë dhe analistët thonë se nuk besojnë se Serbia do të provokonte një konflikt me forcat e aleancës. Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Bashkimi Evropian po ndërmjetësojnë bisedimet midis udhëheqësve shqiptarë dhe serbë. Kombet e Bashkuara kanë caktuar datën 10 dhjetor si afatin për përfundimin e bisedimeve.

Me mbështetje diplomatike nga Moska, Serbia e ka kundërshtuar planin Ahtisaari, dhe ka ofruar në vend të tij autonomi të zgjeruar për Kosovën. //rd//

XS
SM
MD
LG