Lidhje

Berisha: Prokurori i Përgjithshëm çështje e Presidentit dhe Parlamentit


Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, nisni këtë sezon të ri politik pas fitores së mazhorancës në betejën për presidentin e Republikës. Megjithatë ju hyni në këtë sezon me një problem siç është ai i krizës energjitike, një krizë e rëndë që mbrtheu këtë herë vendin edhe në verë. Të gjithë jemi koshient se moti nuk ka qenë aspak i favorshëm. Por situata e KESH-it nga 2005 deri në fillim të këtij viti u përkeqësua. Pse u la që gjendja të shkonte drejt përkeqësimit.?

Kryeministër Sali Berisha: Duhet të pranojmë se vetëm problemi i menaxhimit në kushtet aktuale të vendit nuk mund të zgjidhë problemin e krizës energjitike dhe të energjisë sepse janë dhe disa probleme të tjera të lidhura me rrjetin ballkanik. Përshembul, Shqipëria gjatë verës nuk mund të importojë më shumë se sa një kuotë e caktuar pasi gjer në ndërtimin e linjës së re me Malin e Zi i gjithë fluksi i energjisë, nga kudo që të blihet kalon nga rrjeti energjitik grek. Së dyti, treguesit e pununës së KESH-it aktualisht janë më të mira se sa në verën e kaluar, kurse energjia nuk është ndërprerë verën e kaluar. Por përpjekja për menaxhim është njera anë, zgjidhja e problemit është balancimi i prodhimit energjitik në Shqipëri dhe ky balancim vjen vetëm duke përqëndruar burime financiare për ndërtimin e TEC-eve. Tec-i i Vlorës ka filluar. Qeveria po përgatitet për një TEC të ri të atyre përmasave ose më të madh. Une mendoj se qeveria shqiptare duhet të parashikojë në buxhetin e saj çdo vit një TEC, deri sa investimet publike në sektorin e prodhimit të energjisë termike dhe sektorit privat të balancojnë plotësisht prodhimin ujor të vendit, nuk duhet rreshtur dhe duhet këmbëngulur në këtë qëndrim. Natyrisht kjo strategji ka çmimin e vet, por cilido qoftë është shumë më i ulët se sa çmimi i energjisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha a jeni penduar që keni premtuar 24 orë drita deri në fund të këtij viti. Edhe drejtori i KESH-it ka shprehur një shpresë të vakët për 2008 ...

Kryeministër Sali Berisha: Nuk jam fare i penduar sepse po të mos kish qenë kjo thatësirë e jashtëzakonshme do të ishte realizuar. Por une besoj se shiptarët nuk mbajnë mend të ketë ekzistuar një thatësirë e tillë. Ne po përpiqemi. Une e kuptoj se premtimi, në këtë kohë të ngushtë, është e vështirë të jesh i sigurtë në realizimn e tij. Por në funksion të këtij premtimi përpjekjet janë shumë të mëdha. Ne në një kohë të shkurtër vendosim për ndërtimin me para buxheti të nje TEC-i të dytë. Kemi inkurajuar një seri kompanish private për ndërtimin e një rrjeti TEC-esh në të gjithë vendin. Nuk mundet që ato të japin efekte në fund të 2007, por e rëndësishme është që të ecim drejt një zgjidhje përfundimtare të cështjes së energjisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër me fillimin e punës së parlamentit opozita është shprehur se do të kërkojë ngritjen e disa komisioneve hetimore për çështjen e korporatës energjitike dhe për çështjen e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, a i druheni veprimtarisë së këtyre komisioneve?

Kryeministër Sali Berisha: Përkundrazi, i mirëpres plotësisht. Unë e kam thënë dhe e them me bindjen më të thellë se kontributi më i madh që mund të japë opozita është të kontrollojë qeverinë. E siguroj opozitën se do të ketë çdo dokument të nevojshëm. Tenderi i rrugës Durrës-Morinë ka qënë një tender i hapur ndërkombëtar, me një grup ndër më seriozët ndërkombëtar të vlerësimit të ofertave. Është jashtëzakonisht e mirëpritur nga unë që opozita të marrë në dorë të gjithë dokumentacionin e këtij tenderi dhe të bëjë vlerësimin. E mirëpres kërkesën e tyre për të hetuar të gjithë veprimtarinë e KESH-it. Jo vetëm të KESH-it por të çdo institucioni.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, megjithatë për rrugën Durrës-Kukës ka patur shumë paqartësi. A mund të thuhet sa do të kushtojë kjo rrugë? Përfundimisht a ka një kosto, sepse është folur për një projekt përfundimtar që ende nuk është mbyllur?

Kryeministër Sali Berisha: Kostoja e kësaj rruge është një kosto jo e vogël, është një kosto e madhe. E madhe për buxhetin e shtetit, por është një kosto që duhet paguar. Kjo është një rrugë me rendësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e Shqipërisë. Siç më thoshte një ekonomist i shquar, kjo rrugë një ditë do të kthehet në një levë të dyfishimit të GDP-së të këtij vendi dhe po kaq rendësi ka edhe për Kosovën. Kostoja e rrugës, po të kemi parasyshë terrenin ku kalon rruga, nga më të thyerit, që mund të egzistojë, po të kemi parasysh tunelin, njërin nga më të gjatët në Ballkan, natyrisht nuk mund të jetë një kosto e vogël. Së shpejti do të kemi koston përfundimtare, sidoqëftë çdo gjë është transparente, të gjithë dokumentet egzistojnë. Nuk kemi ndërtuar ne të parët rrugë të tilla. Kanë ndërtuar kroatët, sllovenët dhe po ndërtojnë rumunët dhe egzistojnë të gjitha dokumentet për të krahasuar vëllimin dhe karakterin e këtyre punimeve.

Zëri i Amerikës: Një çështje e cila ka qënë pjesë e një beteje të gjatë është ajo e prokurorit të përgjithshëm, e cila çoi shpesh edhe në acarime me presidentin. Tashmë që në krye të shtetit është një nga ish figurat kryesore të partisë tuaj. A do të nxitonit për ta zgjidhur këtë çështje?

Kryeministër Sali Berisha: Natyrisht kjo çështje do të zgjidhet pa asnjë lloj mëdyshje. Kjo nuk është një çështje e kryeministrit. Kjo është një çështje e vendit, një çështje e cila ka rendesi të jashtëzakonshme për vendin. Për luftën kundër korrupsionit, për luftën kundër krimit të organizuar. Ky është një problem që do të marrë zgjidhje. Konstatoj se edhe opozita ka arritur në vetëdije të plotë për këtë dhe siç dihet gjatë tratativave për presidentin, ata në mënyrë të përsëritur deklaruan se ishin për largimin e prokurorit dhe se nuk kishin ndonjë kundërshti.

Zëri i Amerikës: Pra këtë çështje ju mendoni t’ia lini ecurisë së reformave në drejtësi?

Kryeministër Sali Berisha: Këtë çështje unë mendoj se nuk është e qeverisë. Është një çështje e presidentit të republikës dhe parlamentit të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, nga opozita prej kohësh është folur dhe ju është ofruar një paketë reformash për t’u realizuar së bashku. A jeni të gatshëm për të realizuar këto së bashku me opozitën; e kam fjalën, jo për shprehjen e vullnetit politik, por për marrjen e masave konkrete?

Kryeministër Sali Berisha: Unë mendoj se ndër reformat themelore është reforma e zgjedhjeve. Jam unë që në mënyrë të përsëritur i kam kërkuar opozitës të përzgjedhë sistemin zgjedhor dhe unë jua votoj atyre cilido qoftë ai. Është shumë i mirëpritur vullneti i opozitës dhe jemi shumë të vendosur të bashkëpunojmë. Natyrisht, uroj që “gjethet të mos pengojë për të parë trungun”, sepse nuk do të ishte e dobishme për vendin. Por kam besim se edhe opozita ka të njëjtat interesa. Të gjitha forcat politike të vendit janë të interesuara njëlloj për shtetin ligjor.

Zëri i Amerikës: Shpesh dëgjojmë debate për ndryshime të mundshme në qeveri dhe kohët e fundit është rihapur kjo çështje në shtyp? Ju a po planifikoni ndryshime në kabinetin tuaj?

Kryeministër Sali Berisha: Qeveria është në formë dhe po punon intensivisht. Këtë muaj dorëzohet buxheti, që do ta miratojmë para kohe. Mendoj se reformat kanë njohur dhe po njohin një nivel të ri shumë të rëndësishëm. Mendoj se ko periudhë ka filluar të dëshmojë frutet e reformave. Ekonomia shqiptare ka sot një rritje eksporti të prodhimit të brendëshëm me 35 përqind. Sot Shqipëria ka ardhur në fokusin e biznesit ndërkombëtar si asnjëherë më shumë. Mund t’ju them se vetem hidrocentrale të projektuara nga kompani të mëdha botërore dhe të aprovuara nga Këshilli i Ministrave gjer në fund të këtij viti do të jenë më shumë se në tërë historinë tonë. Po kështu një interes të jashtëzakonshëm ka zgjuar çimentoja, minierat, turizmi. Pra qeveria është në një përpjekje të madhe për të konsoliduar progresin e Shqipërisë. Në një prëpjekje për të realizuar programin i cili ecën, në tërësi, me realizime të përpikta. Nuk kam asnjë lloj rrethane të veçantë që të mendoj ndërhyrje në kabinetin aktual. Ka ide për zgjerimin e tij unë nuk është se nuk preferoj përfshirjet. Mbetem gjithnjë i hapur të konsideroj alternativa më përfshirëse. (kh)

XS
SM
MD
LG