Lidhje

SHBA: Hotel i kthyer në Muze Kombëtar të të Drejtave Civile


Kanë kaluar 40 vjet që nga vrasja e udhëheqësit të lëvizjes të së drejtave civile Martin Luther King Junior, në një hotel në Memfis të shtetit Tenesi. Hoteli është kthyer në Muzeun Kombëtar të së Drejtave Civile dhe nderon ata që luftuan për barazi racore dhe drejtësi.

Në vitin 1963 Martin Luther King i Riu dhe udhëheqës të tjerë zezakë organizuan Marshimin në Uashington, një protestë masive për të drejta civile dhe vende pune. Kingu mbajti një fjalim emocionues për barazinë racore para 200 mijë simpatizantëve, i njohur si I Have a Dream, ose Kam Një Ëndër .

Gati katër vjet më pas, Martin Luther King u vra në Hotelin Larraine në Memfis të Tenesisë. Pas 20 vjetësh, hoteli u shndërrua në Muzeun Kombëtar të të Drejtave Civile. Dhoma e tij është ruajtur ashtu siç ishte ditën që ai vdiq. Beverli Robertson, presidentja e muzeut thotë se ekspozitat dokumentojnë historinë e lëvizjes amerikane të të drejtave civile.

“Që nga koha kur arritën skllevërit në brigjet e Amerikës në fillim të viteve 1600 deri në Luftën Civile. Këtu dokumentohet diskriminimi dhe fakti që Afrikano-Amerikanët nuk mund të hynin nga dyert kryesore, nuk mund të uleshin në radhët e para të autobusëve, nuk mund të pinin nga i njëjti rubinet si të tjerët, e deri tek ndarja racore në shkolla”.

Elein Turner ka qenë aktiviste e të drejtave civile në Memfis gjatë viteve 1960. Ajo kishte marrë pjesë në demonstrata dhe shkonte në vende ku afrikano-amerikanët nuk lejoheshin të hynin.

“Unë shkoja ulesha në restorante, kinema, kisha e kudo tjetër, kudo ku nuk lejohesha për shkak të ndarjes racore. Shpesh kisha frikë, sepse kërcënoheshim kur i bënim këto protesta”.

Ajo thotë se veprimet e tyre ia arritën qëllimit dhe kontribuan për eliminimin e ligjeve të ndarjes racore në Memfis.

“Beteja më e egër nuk ishte ana ligjore, por ajo për të fituar zemrat. Kjo betejë ende nuk ka mbaruar”.

Presidentja e muzeut Robertson mendon se lëvizja e të drejtave civile pati ndikim tek beteja të tjera për të drejtat e njeriut.

“Ka shumë ngjashmëri mes tyre, qoftë beteja e studentëve kinezë në sheshin Tienanmen, apo lëvizja e Nelson Mandelës në Afrikën e Jugut kundër aparteidit”.

Një nga sallat e muzeut i është kushtuar udhëheqësit shpirtëror dhe politik të Indisë Mahatma Gandi që përdori lëvizjen paqësore për të sjellë ndryshime sociale dhe politike. Edhe Martin Luther Kingu bënte thirrje për mjete paqësore për t’i dhënë fund ndarjes racore.

Çdo vit muzeu paraqet “Çmimet për Lirinë”. Këtë vit me këtë çmim u nderuan ish ylli i basketbollit Magik Xhonson që tani ndihmon komunitetet urbane me të ardhura të ulëta, si edhe historiani i të drejtave civile Xhon Hop Franklin. Po ashtu u nderua edhe presidentja liberiane Ellen Xhonson-Sirlef.

Ceremonia e dhënies së çmimeve do të mbahet në tetor. //ze

XS
SM
MD
LG